Ikën 33% e shqiptarëve, qeveria pa strategji për t’i ndalur

Ikën 33% e shqiptarëve, qeveria pa strategji për t’i ndalur

Zbardhet raporti i Komitetit të Helsinkit. Shqipëria nuk ka analizuar shkaqet e largimit të qytetarëve nga vendi. E vetmja “strategji” për të zgjidhur problemin e kërkesave të larta për azil drejt BE-së, është aplikimi i masave shtrënguese në kufi “Shqipëria duhet të marrë masa konkrete për zgjidhjen e problemeve si papunësia, varfëria dhe pasiguria, për […]

Zbardhet raporti i Komitetit të Helsinkit. Shqipëria nuk ka analizuar shkaqet e largimit të qytetarëve nga vendi. E vetmja “strategji” për të zgjidhur problemin e kërkesave të larta për azil drejt BE-së, është aplikimi i masave shtrënguese në kufi

“Shqipëria duhet të marrë masa konkrete për zgjidhjen e problemeve si papunësia, varfëria dhe pasiguria, për të reduktuar numrin e shqiptarëve që kërkojnë azil në vendet evropiane”, është ky përfundimi i studimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, në lidhje me çështjet e migrimit dhe azilit. Studimi është i përqendruar në një periudhë kohore 5-vjeçare, konkretisht nga viti 2012 deri në 2017-ën, ku Shqipëria është, jo vetëm vend i origjinës, por edhe vend tranziti dhe destinacioni i azilkërkuesve dhe migrantëve të parregullt. Raporti ende nuk është publikuar, ndërkohë gazeta “Shekulli”, disponon një përmbledhje të gjeteve më të rëndësishme të këtij raporti, që prek një nga temat më të nxehta të këtyre viteve.

Sipas këtij studimi, qeveria shqiptare nuk ka arritur të gjejë një zgjidhje, e cila të jap rezultate konkrete në menaxhimin e largimit masiv të shqiptarëve nga vendi. Në këto 25 vite, janë larguar nga Shqipëria rreth 33% e shqiptarëve, ndërkohë, largimin më të madh vendi ynë e ka njohur vitet e fundit. Sipas studimit, renditemi ndër vendet e para për nga numri i kërkesave për azil, të krahasueshëm me vendet që janë në luftë. Por, pavarësisht kërkesave të larta, vendet evropiane pranojnë shumë pak shqiptarë për t’i njohur ata si azilant. Sipas raportit, numri i shqiptarëve që janë pranuar si azilantë në këto vite, ka qenë më pak se 1%, ndërsa kërkesat, në çdo vit, këto 5 vitet e fundit, kanë qenë me mijëra. Sugjerimet e raportit për të gjetur një zgjidhje për situatën, përqendrohen në zgjidhjen e problemeve si papunësia, varfëria, pasiguria. Më tej, vihet në dukje edhe fakti që, pavarësisht se Qeveria Shqiptare përfshiu pozicionin e Ministrit të Shtetit për Migracionin dhe Diasporën, politikat e ndjekura prej kësaj strukture, nuk lidhen me masa kundër migrimit të paligjshëm, por në afrimin e diasporës.

Për Komitetin Shqiptar të Helsinkit, masat shtrënguese në kufi, nuk janë zgjidhje për këtë problem, i cili do një strategji të mirëfilltë për zgjidhjen e tij. Integrimi i të kthyerve, është një tjetër problem që kërkon zgjidhje, shkruhet në raport, pasi kjo do të evitonte një ri-migrim të shtetasve që kanë kërkuar të largohen njëherë. Më tej, një tjetër gjetje mjaftë shqetësuese e studimit të bërë nga KSHH, është edhe braktisja e fëmijëve nga prindërit shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo braktisje, bëhet me qëllim përfitimin e legalizimit të statusit të tyre në BE. “Ky fenomen padyshim që kërkon marrjen e masave konkrete nga Republika e Shqipërisë, filluar me ndërgjegjësimin në lidhje me pasojat e braktisjes së fëmijëve dhe identifikimin e rasteve konkrete të prindërve që kryejnë akte të tilla”, theksohet në raport.

Pranohen vetëm 1% e kërkesave për azil

Fenomeni i migracionit ka prekur ndjeshëm edhe Shqipërinë postkomuniste. Gjatë 25 viteve të fundit, rreth 33% e popullatës është larguar nga vendi. Pavarësisht zhvillimeve dhe arritjeve në lidhje me perspektivën e aderimit në Bashkimin Evropian, si edhe të masave të përgjithshme kundër emigrimit të paligjshëm, numri i shtetasve shqiptarë që kanë kërkuar azil gjatë 5 viteve të fundit në shtetet anëtare të BE-së është rritur ndjeshëm, duke u shndërruar në shqetësim për Bashkimin Evropian.

Shqiptarët përbëjnë një nga grupet më të mëdha të azil-kërkuesve në BE, i krahasueshëm me Sirianët dhe Afganët, që vijnë nga situata lufte apo të paqëndrueshmërisë të rendit dhe sigurisë publike. Numri i kërkesave për azil të shqiptarëve, të pranuara, ka qenë më pak se 1%. Kështu, në vitin 2016, nga 34 mijë kërkesa nga Shqiptarët në Gjermani, vetëm 10 persona përfituan mbrojtje. Edhe në Holandë, numri i kërkesave që janë pranuar është shumë i ulët. Nga 1665 kërkesa në vitin 2016, vetëm 5 kërkesa janë pranuar. Në vitin 2015 nuk është pranuar asnjë kërkesë nga 1065 të tilla dhe po kështu, në vitin 2014 nuk është pranuar asnjë kërkesë nga 85 aplikime për azil. Autoritetet shqiptare fillimisht mohuan ekzistencën e fenomenit, dhe më pas e trajtuan në mënyrë një-dimensionale, duke i vendosur një barrë disproporcionale strukturave të kufirit dhe migracionit, për të intensifikuar kontrollet në kufi.

Padyshim, që shkaqet e emigrimit të shqiptarëve, pra papunësia, varfëria, dhe pasiguria e përgjithshme për të ardhmen që ‘ofron’ Shqipëria, janë çështje që nuk mund të trajtohen menjëherë. Por, të paktën, autoritetet duhet të analizojnë, programojnë, dhe të planifikojnë në terma afatshkurtër dhe afatmesëm zonat me emergjente dhe masat prioritare për të reduktuar fenomenin e largimeve masive. Sugjerohet që Qeveria Shqiptare të parashtrojë/planifikojë zyrtarisht masat afatshkurtra dhe afatmesme në lidhje me adresimin çështjeve me sipër.

Çfarë mungon?!

Duhet theksuar se aktualisht Shqipëria, nuk ka një strategji shumë dimensionale në lidhje me menaxhimin e migracionit. Strategjia e parë Kombëtare për Migracionin dhe Plani Kombëtar i Veprimit u zbatuan, të paktën pjesërisht, deri në vitin 2010. Po ashtu, në vitin 2015 përfundoi veprimi i Strategjisë për Kthimin dhe Ri-integrimin (2010-2015). Në vitin 2017,në kuadër të ristrukturimit të Qeverisë Shqiptare, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale u bashkua me Ministrinë e Shëndetësisë. Duhet theksuar se në vitin 2017, Qeveria Shqiptare përfshiu pozicionin e Ministrit të Shtetit për Migracionin dhe Diasporën.

Por, portofoli i tij nuk mbulon migrimin e paligjshëm. Edhe draft Strategjia e prezantuar prej tij në vitin 2017, parashikonte masa kryesisht për zhvillimin e Shqipërisë nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit me Diasporën, por jo masa kundër migrimit të paligjshëm. Në kushtet e reja të emigrimit të shqiptarëve, është i nevojshëm miratimi i një strategjie gjithëpërfshirëse për migracionin, e cila të trajtojë ndër të tjera, fenomenin e abuzimit me regjimin e vizave dhe të identifikojë masat për të luftuar shkaqet e migrimit, si papunësia, varfëria dhe mungesa e mbështetjes nga organet shtetërore të kategorive në nevojë. Duhen marrë masa energjike, dinamike edhe në lidhje me integrimin e të kthyerve, për të evituar riemigrimin e paligjshëm. Organet përgjegjëse duhet të kryejnë një studim në lidhje me arritjet dhe dështimet e strategjisë për riintegrim dhe të reflektojnë nevojat e reja në një strategji gjithëpërfshirëse për migracionin. /Shekulli

Nga Bleona Metushi

Të ngjashme
"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?