Hazard pas ndeshjes me Japoninë: Ishte si një film i frikshëm

Eden Hazard kishte frikë se Belgjika mund të pësonte një humbje shokuese si ndaj Uellsit në “Euro 2016”, kur të tijtë e panë veten në disavantazh 2-0 ndaj Japonisë, të hënën në mbrëmje, në Botërorin e Rusisë. Golat e Genki Haraguchi dhe Takashi Inui në një “magji” prej shtatë minutash, pas pjesës së parë, e […]
Golat e Genki Haraguchi dhe Takashi Inui në një “magji” prej shtatë minutash, pas pjesës së parë, e vunë Japoninë në udhën e kualifikimit të parë për në çerekfinalet e një Kupe Bote.
Por, belgët nuk u dorëzuan. Ata ia dolën të bëjnë përmbysjen spektakolare, duke përparuar më tej në këtë turne të surprizave të shumta. Hazard ngriti lart rolin e Fellaini për përmbysjen, por pranoi se Belgjika ishte e shqetësuar se po largohej nga turneu në rrethana të ngjashme me humbjen në çerekfinale të “Euro 2016”, ndaj Uellsit.
“Të jemi të drejtë, po mendonim se po përsëritej makthi i dy viteve më parë, kundër Uellsit, – tha Hazard në një konferencë shtypi. – Por ne, gjithashtu, mendonim se mund të shënonim gola për të fituar. Ne kemi lojtarë që mund ta ndryshojnë lojën, lojtarët në fushë dhe ata që vijnë nga stoli mund të bëjnë dallimin. Jemi të lumtur që e kemi fituar ndeshjen dhe vazhdojmë në çerekfinale”, shtoi ai.
Brazili pret Belgjikën në Kazan, të premten, me Hazardin që do të paraqitet kundër bashkëlojtarit të Chelsea, Willian. “Tani, kur është fjala për ndeshjen e ardhshme, do të jetë e mrekullueshme, – shtoi Hazard. – Të luash kundër Brazilit është gjithmonë e mahnitshme për lojtarët. Ne do të pushojmë vërtet mirë dhe do të përpiqemi ta fitojmë këtë ndeshje”.