20 mijë euro shpenzime në udhëtime zyrtare, zyrtari i Qeverisë që rri vetëm në “bisht” të aeroplanit

Në Kosovë vazhdon të qarkullojë një batutë për ata që punojnë në institucione të shtetit, “paga e vogël, por fitimi i madh”. Këtë e dëshmon edhe rasti i Drejtorit të Departamentit të Energjisë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Luan Morina, i cili më shumë e kalon kohën duke fluturuar me avion nga shteti në shtet, […]
Drejtori Morina, pothuajse nuk lë t’i ikën asnjë mundësi udhëtimi jashtë vendit. Vizitat jashtë vendit të zyrtarëve shtetëror kompensohen edhe me mëditje, dhe nëse veprohet sikurse drejtori në fjalë, shumë lehtë ja dyfishon të ardhurat vjetore vetës.
Në bazë të dokumenteve që Gazeta Metro ka siguruar brenda Qeverisë së Kosovës, Morina vetëm vitin e kaluar ka pasur afër 20 udhëtime jashtë vendit. Shumica e këtyre udhëtimeve zgjasin më shumë se një ditë dhe nëse krahasohen me ditët zyrtare të punës, duke i hequr edhe pushimet vjetore, atëherë del se këtij zyrtari të shtetit të Kosovës, do t’ia ketë zili edhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, i cili përveç tjerash posedon edhe avion privat.

Por, vizitat kaq të shpeshta jashtë vendit, përveç mungesës së pranisë në zyrën e tij të punës në MZHE, kanë edhe kosto financiare. Dokumentet e siguruara nga Gazeta Metro, dëshmojnë se Morinës, shteti i Kosovës për një vit e gjysmë i ka paguar 19 mijë e 768 euro vetëm për mëditje dhe akomodim, pa përfshirë edhe biletat e avionit.
Nëse këtu përfshijmë edhe biletat kthyese të udhëtimit, me një çmim mesatar vetëm prej 300 eurove, atëherë shpenzimet rriten edhe për rreth 10 mijë euro, pasi Gazeta Metro ka arritur të sigurojë dokumente që dëshmojnë se drejtori Morina, për rreth një vit e gjysmë ka kryer rreth 30 udhëtime zyrtare jashtë vendit.

Për më tepër, ai brenda një muaji ka realizuar deri në tri udhëtime zyrtare jashtë shtetit, dhe kjo nuk është se ka ndodhur vetëm në një muaj të vitit.
Gazeta ka kërkuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik raportin e shpenzimeve për udhëtime jashtë vendit të Departamentit të Energjisë në këtë ministri, për periudhën janar 2017 – qershor 2018. Ky raport tregon se për këtë periudhë, ky departament ka shpenzuar 44 mijë e 131 euro gjithsej, për akomodim, udhëtim dhe mëditje. Ndërsa numri i zyrtarëve që kanë shpenzuar këto mjete për udhëtime jashtë shtetit, është pesëmbëdhjetë.

Por, një përllogaritje e thjeshtë, na e nxjerr konkludimin se drejtori i këtij departamenti, Luan Morina, vetëm vetë ka shpenzuar trefishin e këtij buxheti, ndërsa katërmbëdhjetë kolegët tjerë të tij, pjesën tjetër.
“Departamenti i Energjisë (DE) i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik gjatë periudhës janar 2017 qershor 2018 ka shpenzuar gjithsejt 44,131.57 Euro. Këtu përfshihen të gjitha shpenzimet e akomodimit, udhëtimit dhe mëditjet, ndërsa numri i zyrtarëve që kanë udhëtuar është 15. Shpenzimet e DE për vitin 2017 janë 25,740.59 euro. Shpenzimet e DE janar-qershor 2018 janë 18,390.98 euro”, thuhet në përgjigjen dërguar Gazetës Metro, nga zyra për media në MZHE.
Këtu tani po bëjmë edhe një krahasim me shpenzimet për udhëtime jashtë vendit të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ‘supermanit’ të MZHE’së.
Kryeministri Ramush Haradinaj, sipas raportimeve në media, për gjashtë muaj kishte shpenzuar më pak se sa ky drejtor i MZHE’së.
Zyra e kryeministrit Haradinaj, që përfshinë një staf shumë më të madh, edhe me këshilltarë e asistentë, në tremujorin e fundit të vitit 2017 dhe tremujorin e vitit 2018, për mëditje të shpenzimeve jashtë vendit, kishte shpenzuar 11 mijë e 986 eurove, ndërsa Departamenti i drejtuar nga Morina, ka shpenzuar 18 mijë e 390 euro.
Përveç udhëtimeve zyrtare, drejtori Morina, sipas burimeve të Gazetës Metro, kujdeset që shtetin e Kosovës ta shfrytëzojë maksimalisht. Mësohet se ai është ndër drejtorët e vetëm për të cilin MZHE ka angazhuar shofer që të shkojë ta marrë në shtëpi, dhe pas punës ta kthejë sërish.















