Qeveria injoron kërkesat e sindikatave

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës më 1 Maj kishte organizuar një protestë, që ishte me pjesëmarrje simbolike, për të përmirësuar gjendjen e punëtorëve. Pas protestës, kryeministri Ramush Haradinaj i kishte pritur në takim përfaqësuesit e BSPK-së. Pas takimit me përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj tha se […]
Pas takimit me përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj tha se kërkesat e sindikatave “do të adresohen në takimin e parë të Qeverisë”. Ky lajm u kumtua nga një komunikatë e Zyrës së Kryeministrit.
“Në mbledhjen e parë të Qeverisë do të ngritën shqetësimet e shprehura nga ana juaj. Nuk do të rrimë në pritje dhe do të ndërmarrim veprime konkrete në realizimin e kërkesave për të drejtat e punëtorëve në vend”, ka thënë kryeministri sipas komunikatës që e ka shpërndarë Zyra e Kryeministrit në ditën e punëtorëve, me 1 maj.
Kallxo.com e ka pyetur Zyrën e Kryeministrit se a është diskutuar çështja e rritjes së pagës minimale apo çështjet që lidhen me punëtorët në përgjithësi, ndërsa ajo është përgjigjur se pyetja nuk duhet t’i shtrohet kësaj zyreje.
“Kjo pyetje duhet t’i drejtohet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale”, është përgjigjur Zyra për Komunikim pranë Zyrës së Kryeministrit.
Pas pranimit të përgjigjes nga ZKM, kallxo.com i ka siguruar pranë kësaj zyreje të gjitha videot nga mbledhjet e Qeverisë për muajin maj dhe e ka parë për së afërmi mbledhjen e fundit të muajit.
Më 8 maj, në mbledhjen e 45-të të Qeverisë, Haradinaj e as anëtarët e tjerë të ekzekutivit nuk i kanë hapur për diskutim kërkesat e BSPK-së apo Ligjin e Punës. Ato nuk kanë qenë pjesë as e rendit të ditës e as nuk janë diskutuar në fund të mbledhjes kur mund të hapen çështjet e ndryshme.
E njëjta ka ndodhur edhe në mbledhjen e 46, më 11 maj, në mbledhjen e 47-të më 15 maj, në mbledhjen e 48-të, më 21 maj dhe as në mbledhjen e fundit më 29 maj.
Ndër rastet e vetme kur Haradinaj ka folur për punëtorët dhe sindikatat gjatë majit ka qenë në lidhje me punëtorët e Trepçës, por jo për punëtorët në përgjithësi apo për BSPK-në.
“Janë disa tema të cilat kanë mbetur të hapura rreth, pra rreth këtij Statutit. Ku përfaqësuesi i sindikatave ka menduar se (statuti) duhet t’i trajtojë edhe aspektet sindikale ose benefitet e punëtorëve në statut… Statuti është dokument me karakter tjetër, megjithatë ne i kemi lutur ata që t’i çojnë mendimet e tyre (me shkrim) dhe ne si qeveri pastaj biem dakord se në cilën mënyrë i adresojmë kërkesat legjitime të minatorëve dhe që të mos e vonojmë ecjen përpara me “Trepçën””, ka thënë kryeministri Haradinaj në mbledhjen e 47-të të Qeverisë.
Ndryshe, BSPK ka marrë pjesë në protestën në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve dhe ia ka parashtruar disa kërkesa Qeverisë së Kosovës.
Bashkimi i Sindikatave i ka kërkuar Qeverisë: rritjen e pagës minimale në 250 euro, nivelizmim të pagave (paga të njëjta për punë të njëjta), zbatimin e Ligjit të Punës, siguri në punë, zbritja e moshës së pensionimit për 10 vite.












