Maqedonia pret të zgjedh kontestin rreth emrit me Greqinë më 9 qershor

Kryeministri Zoran Zaev nuk ndalet së paralajmëruari afate për bisedën telefonike me homologun e tij grek, Aleksis Cipras për çështjen e emrit zyrtar të Maqedonisë. Pasi dështoi biseda e paralajmëruar nga Zaev për të mërkurën, të enjten ose të premten e javës së kaluar, këtë herë pa precizuar saktë, Zaev thotë se është çështje ditësh […]
Pasi dështoi biseda e paralajmëruar nga Zaev për të mërkurën, të enjten ose të premten e javës së kaluar, këtë herë pa precizuar saktë, Zaev thotë se është çështje ditësh kur biseda telefonike do t’i jep fund kontestit shumëvjeçar. Megjithatë jo zyrtarisht, përflitet se SHBA-të i kanë kërkuar Zaevit që deri më 9 qershor të japë pëlqim për tekstin e marrëveshjes.
Kështu të paktën citohet Zaev nga mediat në Maqedoni.
“Unë besoj se me të vërtetë jemi në vetë fundin. Do të mbetem i kujdesshëm, në mënyrë që fundi të jetë i suksesshëm, fund i lumtur. Nuk do të komentoja detaje, nga arsyeja e thjeshtë që akoma po krijohen rrethanat që të ndodh biseda telefonike. Unë besoj se janë në pyetje ditë që të ndodh biseda telefonike dhe sapo ajo të ndodhë ashtu si dhe për përmbajtjen e saj do t’i informoj qytetarët. Këto ditë dua të jenë ditë të përfundimit të suksesshëm të procesit”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev, raporton Alsat M. Zaev thuhet të mos ketë konfirmuar por as demantuar informatat rreth propozimeve në tavolinën e negociatave.
Ndërkohë Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias citohet te ketw folur për fjalët përfundimtare, duke theksuar se negociatorët duhet të kenë durim dhe vetëpërmbajtje e të mos ndikohen nga mediat dhe opozita për lojëra të brendshme politike.
“Është koha të thuhet ‘Po’-ja ose ‘Jo’ e madhe dhe pastaj i kuptoni vështirësitë. Kam përshtypjen se tani që duhet të përfundojmë me këtë punë, lidershipi në Shkup i ka kuptuar vështirësitë e mëdha që ekzistojnë për implementimin e saj dhe ka luajtur një rol duke dashur të reflektojë dhe diskutojë në sqarimet e marrëveshjes. Jam i bindur se vështirësitë së shpejti do të tejkalohen”, deklaroi ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Kocias.
Kocias po ashtu tha se në lojë janë propozimet me përcaktuesit si Maqedonia: “Veriore”, “E Epërme” dhe “E Re”. Sipas tij, nëse arrihet marrëveshje, javët e ardhshme ajo do të jetë në Kuvendin e Shkupit, ndërsa në vjeshtë do të ketë referendum, pas çka edhe ndryshime kushtetuese.
Kocias kërkoi nga Kisha Greke të qëndrojë larg kësaj çështjeje politiko-diplomatike. Ai theksoi se Qeveria aktuale ka hartuar draft-marrëveshje njëzet faqëshe, përderisa draftet e qeverive paraprake nuk i kalonin as dy faqe. Krye diplomati grek, tha se nuk mbajnë kritikat e Demokracisë së Re opozitare, për shkak se kur kjo parti ishte në pushtet kishte pranuar propozimin Maqedonia-Shkupi. Ndërsa gjuha maqedonase është regjistruar shumë më përpara se të lindte kontesti. Kjo nxiti reagim të menjëhershëm. “Në Bukuresht, Qeveria greke e Karamanlisit; Ministrja e Jashtme, Bakojani dhe ai i Mbrojtjes, Meimarakis nuk kishin pranuar një kompromis të keq. Kocias ka bërë diçka shumë të keqe dje. Ai ka adoptuar pikëpamjen e Shkupit për gjuhën maqedonase në vend të pozitës greke, e cila asnjëherë nuk e ka pranuar “, tha Jorgos Kumucakos, nga Demokracia e Re në Greqi.
Të mërkurën në dhjetëra qytete në Greqi do të protestohet kundër përdorimit të termit “Maqedoni” në emrin e ardhshëm eventual të vendit. Në protestat e ngjashme në shkurt të këtij viti morën pjesë mbi 100 000 grekë. /Alsat M/












