Kthehet në rivlerësim tenderi për sigurim fizik të objekteve të KEK-ut

Në fund të vitit 2017, kompanisë “Security Code” i ka skaduar kontrata tri-vjeçare për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut, raporton KTV. Pas procedurave të tenderimit, kjo kompani ka dalë fituese edhe në tenderin e ri të shpallur nga KEK-u, rezultatet e të cilit janë publikuar në mars të këtij viti. Oferta e kompanisë “Security […]
Pas procedurave të tenderimit, kjo kompani ka dalë fituese edhe në tenderin e ri të shpallur nga KEK-u, rezultatet e të cilit janë publikuar në mars të këtij viti.
Oferta e kompanisë “Security Code”, që për pronarë ka Ukshin Lushtakun, vëlla i Sami Lushtakut dhe Valdrin Tahirin, ka qenë 7 milionë e 252 mijë e 919 euro.
Dy ish-pronarët e kësaj kompanie, Milazim Lushtaku dhe Esat Tahiri, pikërisht për një prej tenderëve nga KEK-u, janë duke u akuzuar për mashtrim, bashkë me Sami Lushtakun, Arben Gjukajn, Hysni Hoxhën dhe Driton Pruthin.
KEK-u kishte refuzuar ankesat e kompanive “Besa Security” e “Rojet e Nderit”, siç kishte bërë edhe eksperti shqyrtues në pretendimet e tyre për shkelje në Ligjin për Prokurimin Publik e kriteret e dosjes së tenderit.
Por, Paneli Shqyrtues i OSHP-së kishte gjetur si të paqëndrueshme arsyet për eliminimin e kompanisë “Rojet e nderit”.
“…për faktin se OE ankues “Rojet e Nderit”, në ofertën e tyre kanë kalkuluar një vlerë prej 2E për shujtë për punëtorë, për arsye se kanë të rregulluar çështjen e kuzhinës, e cila mbulon kërkesën e AK-së dhe marrëveshjen kolektive. Po ashtu, çështja e fitimit të kompanisë, OE ankues ka sqaruar se ata kanë një fitim solid, pasi është politikë e kompanisë çështja e fitimit dhe nuk mund të kundërshtohet kjo pikë. Gjithashtu, çmimi i uniformave edhe në këtë rast, operatori ekonomik në fjalë ka arsyetuar këtë duke i ofruar panelit shqyrtues faturën e blerjes së uniformave, e cila mbulon çmimin që ka dhënë bazuar në faturën e blerjes”
Një prej përfundimeve të panelit ka qenë që vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve nuk është bërë konform nenit 59 të LPP-së dhe njëkohësisht, nuk është respektuar edhe neni 60 i LPP-së, kriteri kryesor për dhënien të kontratës, e që ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmim më të ulët.
Drejtori i kompanisë Valdrin Tahiri tha se kompania ankuese ka manipuluar me shifra dhe mbesin të bindur se oferta e tyre do të dalë më e favorshmja.
“Kompania e Sigurimeve Fizike “Security Code” kemi hyrë në këtë tender, duke u bazuar në kriteret e dosjes së tenderit, duke bërë vlerësime reale të çmimeve të tregut, pagave dhe obligimeve të tjera ndaj punëtorëve, siç kërkohet në Dosjen e Tenderit dhe në harmoni me Ligjet e shtetit. Nëse e shikoni ofertën e kompanisë tonë dhe ballafaqimin që kemi pasur në OSHP, do ta kuptoni qartë se kompania ankuese, e cila pretendon se ka dalë më çmime më të lira, në fakt ka bërë kalkulime fiktive dhe të cilat nuk janë reale dhe madje janë johumane dhe jonjerëzore.”
Derisa kompania “Rojet e Nderit” në interesimin e KTV-së për një përgjigje, kanë kërkuar kohë për një gjë të tillë.
Përndryshe, “Security Code” që nga viti 2010, siguron objektet e KEK-ut, e ka marrë tenderë milionësh edhe për sigurimin fizik të disa institucioneve të tjera.












