Fëmijët e Kosovës ende pa ligj për mbrojtjen e tyre

Luan Bernjashi sot nuk e feston 1 Qershorin sikurse të gjithë fëmijët tjerë në Kosovë. 14 vjeçari nga Karaçeva e Poshtme e Kamenicës para disa ditësh vdiq nga torturat që ia shkaktoi babai i tij. Në Kosovë fëmijët vazhdojnë të mbesin kategori të cilëve më së shumti u cenohet të drejtat e tyre. Policia […]
Luan Bernjashi sot nuk e feston 1 Qershorin sikurse të gjithë fëmijët tjerë në Kosovë.
14 vjeçari nga Karaçeva e Poshtme e Kamenicës para disa ditësh vdiq nga torturat që ia shkaktoi babai i tij.
Në Kosovë fëmijët vazhdojnë të mbesin kategori të cilëve më së shumti u cenohet të drejtat e tyre.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vetëm gjatë vitit të kaluar janë 1 mijë e 269 raste të raportuara për dhunë në familje, nga to 61 viktima janë fëmijë. Sipas Policisë së Kosovës vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë raportuar 281 raste të dhunës në familje, ku një numër i konsiderueshëm i viktimave janë fëmijë.
Vrasja e Luan Bernjashit bëri që akterët që merren me të drejtat e njeriut të kërkojnë që sa më parë të aprovohet Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve.
Në këtë aspekt më të zëshëm kanë qenë koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, të cilët ditë më parë përmes një letre i kanë kërkuar kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj, që projektligji të miratohet sa më parë.
Madje ata kanë kërkuar që të bëhet edhe parashikimi dhe ndarja e buxhetit të nevojshëm për projektligjin, përfshirë përcaktimin e kostos së shërbimeve, burimeve njerëzore për zbatimi të ligjit, me të vetmin qëllim që ky ligj të gjejë zbatim dhe të ndikoj në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.
Klevis Vaqari nga KOMF, ka thënë për KosovaPress se Kosova ka ende mangësi qoftë në gëzimin e të drejtave, qoftë në mbrojtjen e fëmijëve, por që sipas saj miratimi i projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve do të kontribuonte në sigurinë e fëmijëve në vend.
“Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve edhe pse tash u bë një kohë që është ende në fazat e rishikimit, do të rriste mundësitë për implementim më të mirë të të gjitha politikave që synojnë mbrojtjen më të mirë të fëmijëve dhe që synojnë respektimin e të drejtave të tyre… Ne kemi parë të arsyeshme si koalicion me 27 organizata anëtare që të bëjmë thirrje që Qeveria të kthej vëmendjen drejt sigurisë, drejt rritjes së sigurisë së fëmijëve në vend. Dhe, sigurisht Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve është një hap ose një element që i kontribuon këtij procesi në tërësi”, tha Vaqari.
Se mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të fëmijëve në Kosovë vazhdon të mos bëhet në mënyrë adekuate e ka potencuar edhe Institucioni i Avokatit të Popullit në raportin për vitin 2017.
Në këtë raport thuhet se përkundër asaj se janë ndërmarrë shumë hapa në krijimin e politikave dhe kornizës ligjore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, realizimi në praktikë i të drejtave, mbrojtja dhe respektimi i tyre mbetet sfidë për institucionet e Kosovës.
Mungesa e një ligji për të drejtat e fëmijës sipas raportit të IAP-së i lë fëmijët në një situatë të ndjeshme dhe pasiguri juridike. Prandaj, edhe zëvendësavokatja e Popullit, Edona Hajrullahu thotë se një ligj për të drejtat e fëmijëve është shumë i nevojshëm.
Ajo shprehet se po të kishte një ligj adekuat për të drejtat e fëmijëve do të krijohej një mekanizëm më adekuat për të respektuar të drejtat e fëmijëve.
“Vetë fakti që do të kishim një ligj specifik për fëmijët do të vendoste një kornizë të përgjithshme dhe do të krijonte mekanizma më adekuat për të respektuar të drejtat e fëmijëve. Sfidat mbeten të shumta, si kur flasim për fëmijët me aftësi të kufizuara për shembull kanë nevojë të kenë qëndrueshmëri më të madhe të qendrave të përkujdesjes ditor që janë për rehabilitimin, trajtimin dhe ri integrimin e atyre fëmijëve në shoqëri. Po ashtu, edhe një gjithë përfshirje më e madhe në procesin e arsimimit. Pastaj, çfarë kemi parë neve sfiduese gjithashtu, ose që nuk është trajtuar ende është edhe fakti i fëmijëve që gjenden në rrugë të cilët janë në gjendje të vështirë socio-ekonomike dhe prandaj edhe i braktisin shkollimin dhe zgjedhin të qëndrojnë në rrugë. Ky është një fenomen që të gjithë e shohim në përditshmëri, por që ende mbetet pa i dhënë një zgjidhje permanente prej aspektit institucional”, tha Hajrullahu.
Gjithashtu, në raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit thuhet se Kuvendi i Kosovës do të duhej që ta trajtonte Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve me prioritet dhe seriozitet të shtuar, duke ndërmarrë veprimet e nevojshme që projektligji të shqyrtohet pa vonesa të mëtejme.
Thirrje që të miratohet Projektligji për Mbrojtje të Fëmijëve gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës ka bërë edhe anëtarja e Komisionit Parlamentar për të Drejta të Njeriut, Lirije Kajtazi, e cila ka thënë se projektligji është shumë i nevojshëm për mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.
“Nxjerrja e projektligjit për të drejtat, apo mbrojtjen e fëmijëve ngase përditë e më shumë vërehet se kjo kategori është mjaft e atakuar nga shumë çështje devijonte të cilat në mungesë të zbatimit të ligjit vazhdojnë me e atakua këtë kategori. Për fat të keq vitin e kaluar janë evidentuar se fëmijët janë prekur nga narkomanët edhe në moshën 12 vjeçare dhe fatkeqësia është tani më e thellë që edhe nëntë vjeçarët del se janë atakuar nga narkomanët, nga substancat narkotike. E të mos flasim për pjesën tjetër edhe të lypësisë dhe çështje të tjera të cilët ata detyrohen të bëjnë punë të detyrueshme”, tha ajo.
Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve është hartuar dhe është dërguar në sekretariatin koordinues të Qeverisë për procedim të mëtutjeshëm por që nuk dihet se kur i njëjti do të dërgohet në ndonjërën nga mbledhjet për miratim.
“Aktualisht Zyra ligjore e ka dërguar Projektligjin në SKQ/ZKM për procedim për miratim në mbledhjen e Qeverisë. Ky Projektligj i ka kaluar të gjitha fazat e konsultimeve dhe gjatë hartimit kanë marr pjesë organizatat vendore dhe organizatat ndërkombëtare të cilat Merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga zyra e kryeministrit.
Ndryshe, në vitin 2013 ka filluar hartimi i Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, ku projektligji kishte kaluar përmes konsultimeve të hollësishme me institucionet vendore, natyre ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.












