Dokumenti për dialog me Serbinë që LDK s’do ta votojë për shkak të Thaçit

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, po shpërndajnë një deklaratë të kësaj partie, përmes të cilës tregojnë se nuk do ta votojnë platformën për dialog të propozuar nga Qeveria. Platforma e miratuar ditë më parë nga qeveria e Kosovës, parashikon që dialogun me Serbinë ta udhëheq presidenti i Kosovës. Ishte fillimisht deputeti Lumir Abdixhiku ai […]
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, po shpërndajnë një deklaratë të kësaj partie, përmes të cilës tregojnë se nuk do ta votojnë platformën për dialog të propozuar nga Qeveria. Platforma e miratuar ditë më parë nga qeveria e Kosovës, parashikon që dialogun me Serbinë ta udhëheq presidenti i Kosovës.
Ishte fillimisht deputeti Lumir Abdixhiku ai që ka shpërndarë deklaratën e LDK’së dhe së fundmi, një gjë të tillë, e ka bërë edhe deputetja Vjosa Osmani.
Ajo ka postuar në Facebook mesazhin që përmban edhe deklaratën e LDK’së:
LDK NUK DO TA VOTOJË PLATFORMËN PËR DIALOG TË PROPOZUAR NGA QEVERIA
Platforma për dialog, e prezantuar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, është dokument i përgatitur dobët, joserioz dhe me pretendime jo-kushtetuese.
Rrjedhimisht, LDK-ja nuk do ta votojë platformën në fjalë.
LDK-ja mbetet e përkushtuar për një proces dialogues serioz, konsensual dhe brenda kornizave kushtetuese të Republikës së Kosovës.
LDK-ja beson në vlerat e pazëvendësueshme të dialogut politik, jo vetëm si një mjet për marrëveshje, por edhe si një qenësi e jetës politike.
Ky është dokumenti i plotë që LDK e quan joserioz dhe ku parashihet që Thaçi ta udhëheqë dialogun:
Duke qenë të përkushtuar për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme në rajon, dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit,
Duke marr parasysh unitetin politik që ekziston në Kosovë për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në OKB, në Bashkimin Evropian dhe në Paktin NATO,
Duke rikonfirmuar se Republika e Kosovës respekton marrëveshjet ndërkombëtare dhe duke njohur rëndësinë e zbatimit të tyre në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vendimet e saj;
Qeveria e Republikës së Kosovës, ka miratuar propozimin për Platformën shtetërore për finalizimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve, e cila i procedohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqyrtim të mëtutjeshëm:
Platformën shtetërore
Për finalizimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve
Kuvendi i Republikës së Kosovës insiston që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me një Marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme, përmes së cilës duhet të ndodhë njohja reciproke ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës vlerëson se nënshkrimi i Marrëveshjes ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, do të mundësojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve fqinje, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial.
Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështetë fuqishëm rolin lehtësues të BE-së dhe përkrahjen e SHBA-së për arritjen e Marrëveshjes ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme, si dhe garantimin e zbatimit të tërësishëm të saj.
Kuvendi i Republikës së Kosovës vlerëson se Marrëveshja ligjore ndërkombëtarisht e obligueshme do t’i mundësojë Republikës së Kosovës anëtarësimin në OKB, dhe në të gjitha organizatat tjera relevante ndërkombëtare në të cilat nuk është anëtarësuar.
Kuvendi i Republikës së Kosovës vlerëson që Marrëveshja ligjore ndërkombëtarisht e obligueshme do ta përshpejtojë thellbësisht procesin e anëtarësimit të Kosovës në Paktin NATO dhe në BE.
Kuvendi i Republikës së Kosovës konfirmon që Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Delegacioni i Kosovës që do të krijohet në koordinimin me të gjithë spektrin politik, në respektim maksimal të unitetit politik në vend, janë të autorizuar të zhvillojnë bisedimet për arritjen e Marrëveshjes ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme.
Delegacioni i Kosovës në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në bazë të rrethanave dhe nevojave që do të kërkohen prej BE-së do të mund të përfaqësohen edhe nga përfaqësuesit e tjerë të institucioneve të Kosovës.
Presidenti i Republikës së Kosovës obligohet që t’i raportojë në baza të rregullta Kuvendit të Kosovës, për rrjedhat e dialogut në mes të Delegacioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës është autoritetit suprem i cili do të ratifikojë Marrëveshjen ligjore ndërkombëtarisht të obligueshmendërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë./Periskopi/












