Deklarata që tregon se Thaçi e ka kuptuar që s’e ka të lehtë ta marrë udhëheqjen e dialogut

“Jemi duke punuar ne arritjen e nje konsensusi”, ka thene ai. Presidenti Hashim Thaçi sot ka pritur raportuesin e BE-së për Kosovën, Igor Sholtes, të cilin e ka falënderuar për përkrahjen e deritashme, ndërsa tha se Kosova është duke ndërtuar konsensus politik për dialogun me Serbinë që mbahet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. […]
Presidenti Hashim Thaçi sot ka pritur raportuesin e BE-së për Kosovën, Igor Sholtes, të cilin e ka falënderuar për përkrahjen e deritashme, ndërsa tha se Kosova është duke ndërtuar konsensus politik për dialogun me Serbinë që mbahet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se në Samitin e Sofjes është bërë e qartë që shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndërtojnë marrëdhënie evropiane ndërfqinjësore nëse dëshirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.
“Po punojmë që të prodhojmë sa më shumë argumente pozitive edhe për përkrahësit e Kosovës. Jemi duke punuar që të ndërtojmë konsensus politik për dialogun me Serbinë. Mos harroni që është krijuar një perceptim që i gjithë rajoni po ndihmohet, përpos Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa, raportuesi i BE-së për Kosovën, Igor Sholtes, ka thënë se është në Kosovë për të mbledhur sa më shumë të dhëna, që të raportojë në Parlamentin Evropian.
“Për këtë jemi në Kosovë, që të mbledhim sa më shumë të dhëna nga udhëheqësit e institucioneve e Kosovës në mënyrë që të raportojmë në Parlamentin Evropian”, tha ai.
Ndërkohë, sot Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në emër të Qeverisë ka parashtruar mocionin për tërheqjen e Platformës për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, për t’i dhënë kohë ndërtimit të konsensusit.
“Në emër të kryeministri Ramush Haradinaj me mirëkuptim kërkoj të hiqet platforma për finalizimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve e proceduar në Kuvend me 23 prill 2018 në mënyrë që t’i japim kohë ndërtimit të një konsenusi më të gjerë nacional dhe vazhdimit të konsultimeve të mëtutjeshme”, tha Reçica para deputetëve.
Ndërsa, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, theksoi se kjo është e drejtë e propozuesit, ani pse kanë pritur të ketë debat sot
Ndërsa, deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq, kërkoi largimin e projektligjit për liritë fetare nga rendi i ditës, pasi kanë nevojë për konsultime shtesë rreth këtij projektligji. Edhe mocioni i deputetit të Listës Serbe, për tërheqjen e projektligjit për liritë fetare nga rendi i ditës, u miratua me shumicë votash.












