Ymeri: Shpend Ahmeti është kandidat i mirë për kryeministër

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, thotë se zgjodhën Partinë Socialdemokrate për të vazhduar rrugën e tyre politike pas ndarjes nga Vetëvendosja, sepse me bindjet e tyre politike i përqafojnë edhe vlerat edhe konceptetin socialdemokrat të politikbërjes dhe qeverisjes. Në një intervistë për KosovaPress, numri dy i PSD-së, thekson se socialdemokracia në Kosovë është jashtëzakonisht […]
Në një intervistë për KosovaPress, numri dy i PSD-së, thekson se socialdemokracia në Kosovë është jashtëzakonisht e domosdoshme, prandaj zgjodhën një parti e cila tashmë ishe në skenën politike që bashkë me të, ta ringjallin edhe njëherë diskutimin për socialdemokracinë.
Ymeri në këtë intervistë theksoi se PSD-ja, mendon që Kosova duhet të jetë republikë e qytetarëve dhe qytetaria është edhe barazi në të drejtat që i gëzon e shërbimet publike që i ofron shteti dhe në anën tjetër është edhe burim i sovraniteti.
Ymeri thotë se një dinamikë e zhvillimit ekonomik që do duhej t’i ndodhë Kosovës, do duhej të ishte e ndryshme prej asaj që është sot.
Sipas tij, në vend se të ketë një rritje ekonomike siç thotë Qeveria e cila kryesisht bazohet në qarkullimin e financave në Kosovë, remitencave që vijnë nga jashtë dhe të cilat pastaj njëkohësisht shpenzohen për të importuar mallra nga jashtë, duhet të ndërtojnë mundësi dhe pika të akumulimit të kapitalit brenda Kosovës.
Ai përmend dy problematika që janë në Kosovë.
Ymeri ka folur edhe për bashkëpunimin që PSD-ja do ta ketë me partitë tjera në Kuvend, duke përfshirë edhe ish partinë e tij, Vetëvendosjen.
Derisa në Kuvendin e Kosovës, PSD ka ngritur një mori çështjes që kanë të bëjnë me bashkëpunimin me Shqipërinë, Ymeri thotë se kjo nuk është se po i hyjnë në pikat programore të Vetëvendosjes, sepse nuk mund ta monopolizojë askush çështjen e bashkimit kombëtar.
Ndërsa, duke folur për zgjedhjen e drejtuesve të PSD-së, Ymeri theksoi se bashkërisht kanë vendosur që Shpend Ahmeti ta drejtojë këtë parti, meqë kanë vlerësuar se ai është më i miri prej tyre, porse nuk ka qenë kërkesë e as kusht i tij.
Derisa, i pyetur pse Dardan Molliqaj nuk është në krye të kësaj partie, Ymeri tha se organizimi i tyre është i atillë që të ketë një ndjesi barazie për të gjithë, por jo që e kanë lënë anash dikë.
Duke folur për organizimin e tryezave dhe mundësisë së arritjes së një konsensusi për shumë çështje, thotë se tryezat janë thuajse koti, meqë për tema të tilla do duhej të debatohej në Kuvend. Megjithatë, ai e sheh të dëshirueshme dhe të mirë për Kosovën që të tema të rëndësishme të kenë konsensus.
Ndërsa, i pyetur nëse do t’i bashkoheshin një mocioni të mosbesimit ndaj Qeverisë, Ymeri tha se aktualisht nuk i kanë 61 vota të deputetëve shqiptarë për ta bërë këtë, pa e marrë edhe Listën Serbe, por shton se nuk duan që me votat e Listës Serbe ta rrëzojnë Qeverinë, sepse kjo do t’i bie që po e bëjnë me lejen e Beogradit dhe nuk duan që Vuçiqi t’ua përcaktojë se kur mbahen zgjedhjet.












