Vazhdon ndërtimi i autoudhës Prishtinë-Vushtrri-Mitrovicë

Pas një pauze ka filluar vazhdimi i ndërtimit të autoudhës Prishtinë-Vushtrri-Mitrovicë, saktësisht në segmentin Smrekonicë-Gojbulë. Për vazhdimin e kësaj rruge do të investohen 2 milionë euro për 5 kilometra rrugë, por kjo rrugë do t’i ketë edhe dy pjesë të tjera. Përfundimi i 35 kilometrave të kësaj autoudhe është paraparë të bëhet brenda 30 […]
Pas një pauze ka filluar vazhdimi i ndërtimit të autoudhës Prishtinë-Vushtrri-Mitrovicë, saktësisht në segmentin Smrekonicë-Gojbulë. Për vazhdimin e kësaj rruge do të investohen 2 milionë euro për 5 kilometra rrugë, por kjo rrugë do t’i ketë edhe dy pjesë të tjera.
Përfundimi i 35 kilometrave të kësaj autoudhe është paraparë të bëhet brenda 30 muajve, ndërsa është financuar nga Banka Islamike dhe Fondi Saudit.
Fillimi i punimeve në Gojbulë të Vushtrrisë mblodhi krerët më të lartë të shtetit. I pranishëm ishte edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili këtë rrugë e cilësoi si një nga projektet më të rëndësishme të Kosovës.
“Është një prej projekteve më të rëndësishme për Republikën e Kosovës. Mendoj dhe vlerësoj se qasja e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar fuqishëm me infrastrukturën, me modernizimin e infrastrukturës në tërë hapësirat e Republikës së Kosovës është një qasje që i duhet Kosovës, i duhet shtetit, i duhet qytetarëve, që ndryshon pamjen e vendit e modernizon dhe definitivisht i jep pamje evropiane Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.
Sipas tij kjo autoudhë dhe të tjerat që janë përmbyllur, apo që kanë filluar të ndërtohen do ta ndryshojnë vendin dhe do ta fuqizojnë përkushtimin për infrastrukturë më moderne në nivel regjional dhe lokal për Kosovën.
Edhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli e ka cilësuar këtë autoudhë si një nga segmentet më të rëndësishme të Kosovës, ndërsa shpreson se kjo autoudhë të vazhdojë deri në Leposaviq.
“Kjo autoudhë i lidh tri qytete, e lidh kryeqendrën e Republikës së Kosovës me një nga qytetet me industriale në Republikën e Kosovës Mitrovicën, Vushtrrinë. Në të njëjtën kohë shpresojmë që kjo autoudhë do të vazhdojë deri në Leposaviq në mënyrën që shteti ynë i pavarur dhe sovran të lidhet me pjesën e Evropës Juglindore…Investimet në infrastrukturë mund të jenë edhe objekt i diskutimeve se sa janë të qëlluara, por megjithatë për të pasur transformim ekonomik të Kosovës pa pasur infrastrukturë nuk mund as të paramendohet”, tha Veseli.
Kreu i Kuvendit tha se do të angazhohen që projektet të përfundohen në kohë, për arsye se këto janë në shërbim të qytetarëve, si dhe në shërbim të mirëqenies së qytetarëve, por edhe të zhvillimit ekonomik.
Ndërsa, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, është shprehur se fillimi i ndërtimit të kësaj autoudhe është lajm i rëndësishëm për ekonominë e vendit.
“Me rëndësi është se këtu ka ekzistuar një punë shumë e mirë ekipore e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës në mënyrë që ta rishohim në dritë një projekt që ka pasur një pauzë të caktuar, por që tani vërtet po bëhet realitet… Dëshiroj vetëm të them se ky lajm i mirë për ekonominë e vendit, se është lajm i mirë për ekonominë e vendit e që dakordoj që duhet të mbërrijë në Jarinje pra kjo rrugë”, tha kryeministri Haradinaj
Në anën tjetër, nikoqiri i këtij përurimi, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka thënë se po fillojnë punimet aty kur dikur ishin ndërprerë ato, ndërsa ka potencuar se do të ketë edhe dy pjesë tjera.
“Investimi që po bëhet këtu përmes fondeve arabe kapin vlerën e rreth 2 milionëve vetëm për këtë pjesë prej rreth 5 km. Do të kemi edhe dy të tjera të cilat po ashtu janë milionëshe. Me këtë dëshiroj të them se Vushtrria, Mitrovica e qytete të tjera nga niset e çka përshkon do të jenë më të hapura për t’i ofruar investitorët dhe më të afta për të transportuar prodhimet e veta qofshin ato bujqësore apo të tjera. Kjo rrugë jo vetëm që i lidh ndërmjet vete këto qytete, por këto qytete i lidh edhe me korridoret rajonale. Ne brenda 30 muajve do t’i përfundojmë të gjithë 35 kilometrat që janë të pandërtuara në këtë autorrugë dhe kështu do të jemi më afër njëri tjetrit”, tha ministri Lekaj.
Lekaj u shpreh se do të monitoroj të tërë procesin për ndërtimin e kësaj autorrugë.
Se konstruksionet financiare janë të sigurta për përfundimin e kësaj autorrugë thotë edhe ministri i Financave Bedri Hamza, i cili ka thënë se partnerë financiarë janë Banka Islamike dhe Fondi Saudit.
Ministri Hamza theksoi se rruga e ka konstruksionin financiar deri në Mitrovicë, mirëpo qëllimi i kësaj rruge sipas tij është që të vazhdojë deri në kufirin e Kosovës me qëllim që të jetë korridor i lidhur me korridoret tjera ndërkombëtare.
Fillimin e punimeve për autoudhën që lidh Vushtrrinë me Prishtinën dhe Mitrovicën e ka quajtur lajm shumë të mirë edhe i pari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.
Ai tha se vazhdimi i këtij projekti do ta transformojë qytetin e Vushtrrisë dhe do të hap perspektiven e zhvillimit bujqësor dhe ekonomik të këtij qyteti.
Nga Gojbula Tahiri i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrin hapa konkret për krijimin e zonës ekonomike amerikane në Vushtrri. Tahiri u shpreh se komuna e Vushtrrisë është e gatshme të merr të gjitha vendimet e nevojshme për themelimin e kësaj zone.
“Kohët e fundit u fol shumë për një zonë të lirë ekonomike për bizneset amerikane në Kosovë. Vushtrria e ofron këtë zonë, Vushtrria e ofron tokën e cila është këtu dhe lidhet me këtë autostradë dhe do të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik të Vushtrrisë, të Kosovës, të Mitrovicës”, tha kreu i Vushtrrisë.
Autoudha Prishtinë-Mitrovicë do të mbajë emrat e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Kjo rrugë është një nga arteriet kryesore e Republikës së Kosovës dhe është pjesë e drejtimit rrugor në kuadër të rrjetit bazik të transportit të Evropës Juglindore.
Një pjesë e kësaj rruge që nga Prishtina e deri në Stanoc të Epërm është e përfunduar, ndërsa tashmë do të vazhdoj ndërtimi deri në Mitrovicë.












