Thaçi tregon çka u diskutua në takimin me Vuçiqin e Mogherinin në Sofje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar për takimin që ka pasur në Sofje me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini. Në Sofje, Thaçi njoftoi edhe për një takim të përbashkët të tij me Mogherinin e presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, raporton Periskopi. Thaçi bëri të […]
Thaçi bëri të ditur se në takimin me Mogherinin ka biseduar për procesin e liberalizimit të vizave, vazhdimin e dialogut me Serbinë, si dhe për rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në Samitin historik të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën e qartë evropiane të Kosovës dhe fqinjëve tanë.
Ndërsa, në takimin me Vuçiqin, ai tregoi se u pajtuan që faza përfundimtare e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të fillojë në një të ardhme të afërt, me një mbështetje unike të BE-së, SHBA-së dhe aktorëve tjerë.
Lexoni të plotë postimin e tij:
Sapo kam arritur në Sofje, ku takimin e parë e kam zhvilluar me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.
Me të kemi biseduar për rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në Samitin historik të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën e qartë evropiane të Kosovës dhe fqinjëve tanë.
Kemi folur për procesin e liberalizimit të vizave dhe pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur këtë vit të lirë në zonën Shengen.
Me zonjën Mogherini, po ashtu biseduam për domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Me këtë rast, me iniciativën e zonjës Mogherini kam zhvilluar një takim të përbashkët me të dhe me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
U pajtuam që faza përfundimtare e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të fillojë në një të ardhme të afërt, me një mbështetje unike të BE-së, SHBA-së dhe aktorëve tjerë.
Prandaj, është një momentum i ri që kërkon mobilizim të të gjitha forcave politike, shoqërisë civile dhe mediave në Kosovë, sepse përfundimi i procesit do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi ynë në OKB.
Ky takim është dëshmi e përkushtimit të Kosovës për dialog dhe fqinjësi të mirë, vetëm një ditë para fillimit të Samitit në Sofje. HTH/Periskopi















