Rikalo arsyetohet për pezullimin e drejtorit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë

Pezullimin e Elhami Hajdarit nga pozita e kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, si lajm të mirë për fermerët e Kosovës e ka paraqitur Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo. Deklarata e Ministrit erdhi si reagim ndaj shkrimeve se pezullimi i Hajdarit ndodhi pasi ky i fundit nuk ishte bindur t’i jepte jashtëligjshëm gjysmën […]
Pezullimin e Elhami Hajdarit nga pozita e kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, si lajm të mirë për fermerët e Kosovës e ka paraqitur Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo.
Deklarata e Ministrit erdhi si reagim ndaj shkrimeve se pezullimi i Hajdarit ndodhi pasi ky i fundit nuk ishte bindur t’i jepte jashtëligjshëm gjysmën e dytë të grantit një kompanie nga Prizreni, që bashkëpunonte me një biznes që përfaqësohej nga gruaja e ministrit, Biljana Rikalo.
“Pas shumë ankesave dhe padive, të cilat janë adresuar nga fermerët kundër punës së kësaj Agjencie, si dhe konfirmimi nga Prokuroria që është hapur proces ndaj tij, unë kam marrë vendim për pezullim të z. Hajdari. Arsyeja e këtij vendimi lidhet me çështjen e korrupsionit. Unë nuk mund të toleroj të vazhdojë në këtë mënyrë që të shkatërrojë imazhin e Ministrisë së Bujqësisë. Zotëria në fjalë, për një kohë të gjatë është nën hetime nga policia dhe Prokuroria dhe nga ky pozicion, si Drejtor i Agjencisë, ai nuk mund të ushtrojë presion në proceset e hetuesisë”, ka thënë Rikalo.
Por, pretendimet e tij janë hedhur poshtë nga Prokuroria, të cilët thonë se Hajdari ishte hetuar në një rast, që nuk kishte të bënte me korrupsion dhe i cili ishte mbyllur në mungesë provash.
“Elhami Hajdari, fillimisht është hetuar për shkak të dyshimit të arsyeshëm se i pandehuri ka kryer veprën penale ‘kanosje’ nga neni 185 paragrafi 1 të KPRK-së. Prokuroria, pas analizimit të kallëzimit penal dhe shkresave të tjera, ka marrë vendim për pushimin e hetimeve ndaj të pandehurit Elhami Hajdari, sepse në rastin konkret nga të gjitha provat e administruara, nuk ka gjetur prova se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën është ngarkuar”, ka thënë Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë së Shtetit.
Vendimin për pezullim, në deklaratën për Kohën Ditore, ai e kishte lidhur me mos-përkrahjen për kompaninë “Extra Frut Filings”, që kishte marrëveshje me “Concept PRO’, që përfaqësohej nga Biljana Rikalo – gruaja e ministrit Nenad Rikalo.
Zëdhënësja e qeverisë, Donjeta Gashi, ka konfirmuar se të enjten ka mbërritur kërkesa në e Ministrit Rikalo në qeveri për krijimin e një komisioni disiplinor për rastin e Hajdarit, e që pritet të trajtohet në ditët në vijim.
Përndryshe, kritika ndaj punës së kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, në fund të vitit të kaluar kishte adresuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj.












