Riinvest ofron studime pa pagesë për vitin e parë

Kolegji Riinvest në bashkëpunim me bizneset kosovare kanë prezantuar konceptin më të ri të studimeve pa pagesë, që për qëllim ka përkrahjen e nxënësve të shkëlqyer që të ndjekin studimet në drejtimet e ofruara nga ky kolegj dhe përgatitja e tyre për tregun e punës. Programi ‘Studio pa Pagesë’ ofron studime në drejtimet e ekonomisë […]
Programi ‘Studio pa Pagesë’ ofron studime në drejtimet e ekonomisë dhe shkencave kompjuterike falas për studentët e vitit të parë. Rektorja e Kolegjit Riinvest, Bardha Qirezi, tha se si studentët mund të studiojnë pa pagesë edhe në vitin e dytë dhe të tretë nëse tregojnë sukses shembullor gjatë studimeve. Ndërsa, anëtari i Bordit të Kolegjit Riinvest, Rasim Merlaku, u shpreh se si grup i bizneseve kanë vendosur të investojnë në arsim në mënyrë që të përafrohen kërkesat e tregut me programet e shkollimit.
Sipas tij arsyeja kryesore e këtij programi është që të rinjtë të arsimohen në atë mënyrë që të jenë të gatshëm për tregun e punës.
Merlaku potencoi se janë duke sjell profesorët më të suksesshëm për të qenë pjesë e ofrimit të shkollimit të nevojave reale të tregut.
Ndërsa, drejtori i Riinvest Institute Alban Hashani, u shpreh se Riinvesti është mirë i pozicionuar për ta bërë ndërlidhjen ndërmjet kërkimeve dhe arsimimit të lartë. Numri i kandidatëve që do të pranohen për këtë model të studimeve është i limituar, ndërkohë që nuk është bërë e ditur se sa do të jetë numri i saktë i nxënësve që do të pranohen.
Profilet që do të ofrohen nga Kolegji Riinvest janë në departamentin e ekonomisë dhe në departamentin e shkencave kompjuterike. Në departamentin e parë janë programet si analizë ekonomike për biznes, menaxhment dhe marketing si dhe banka, financa dhe kontabilitet. Ndërsa, në Departamentin e Shkencave Kompjuterike ofrohen programe si inxhinieri souftverike, programimin për pajisje mobile dhe Icloud, siguria kibernetike, menaxhimi i bazave të të dhënave dhe menaxhimi i rrjeteve.












