Qeveria paralajmëron formimin e Ushtrisë me Ligj, ndërkombëtarët kundër, analistët e përkrahin

Para pak ditësh kryeministri Ramush Haradinaj riktheu në diskutim temën e nxehtë të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. I pari i Qeverisë theksoi se Kosova nuk mund të presë gjatë për këtë çështje, prandaj transformimi mund të ndodhë edhe me ligj, gjë që po kundërshtohet ashpër nga ndërkombëtarët, raporton Tribuna Channel. “Jam […]
I pari i Qeverisë theksoi se Kosova nuk mund të presë gjatë për këtë çështje, prandaj transformimi mund të ndodhë edhe me ligj, gjë që po kundërshtohet ashpër nga ndërkombëtarët, raporton Tribuna Channel.
“Jam thellë i bindur se nëse jo përmes ndryshimit kushtetues, atëherë përmes ligjeve do të ndodhë. 11 për qind e pjesëtarëve të FSK-së janë nga komunitetet etnike, ndër ta edhe serbë të veriut. Nuk e precizojmë sa ditë muaj, por do të ndodhë. Qëndrimi im final ishte se me transformimin e FSK-së në ushtri askush nuk humb”
Kryeministri gjithashtu theksoi se transformimi i FSK-së në ushtri, nuk do të thotë marrje e kompetencave të KFOR-it.
Këtij deklarimi të Haradinajt, menjëherë iu kundërpërgjigj ambasada amerikane.
Në një deklarim për media theksuan se transformimi i FSK-së duhet të ndodhë vetëm me ndryshime kushtetuese.
“Ne kemi nxitur qeverinë që të punojë metodikisht për tranzicionin e FSK-së dhe që të vazhdojë me fushatën e saj brenda Kosovës si dhe me partnerët ndërkombëtarë, për të siguruar përkrahje maksimale për këtë tranzicion. SHBA-të vazhdojnë të përkrahin tranzicionin e FSK-së përmes një ndryshimi kushtetues”
Se Kosova duhet që sa më shpejtë ta formojë ushtrinë, e thotë edhe profesori Mazllum Baraliu.
Baraliu i quan shantazhe reagimet e ashpra të miqve kosovarë.
“Kosova ose është shtet i pavarur ose nuk është. Kosova i ka institucionet e veta. Nuk është në rregull që njëri nga kushtet dhe kufizimet që po i bëhen Kosovës të jetë edhe transformimi i FSK-së. Është kuvendi që vendos për këto gjëra. Nuk e shoh të arsyeshëm këtë imponim dhe presion të bashkësisë ndërkombëtare. Presionet dhe reagimet e tilla janë shantazhe. Nëse nuk ka diskonim për ndryshime kushtetuese, atëherë me një plotësim-ndryshim të ligjit mund të ndodhë”
Kujtojmë se para disa muajsh presidenti Hashim Thaçi tentoi që përmes ligjit ta shndërrojë FSK-në në ushtri.
Asokohe kjo nismë e Thaçit u kundërshtua ashpër nga ndërkombëtarët, të cilët e quajtën si veprim të njëanshëm.
Pas presioneve të shumta, Thaçi u tërhoq nga kjo nismë. Mbetet të shihet se çka do të ndodhë edhe me këtë nismë të Ramush Haradinajt.












