Përkujtohen civilët e masakruar në fshatrat e Pejës

Në fshatrat Qyshk, Zahaq, Llabjan e Pavlan të Komunës së Pejës, të hënën janë përkujtuar mbi 100 qytetarë të këtyre katër fshatrave, të vrarë e të masakruar para 19 vjetëve nga forcat serbe. Në mesin e të vrarëve ka pasur edhe disa banorë të disa fshatrave të tjera, që kishin ikur nga fshatrat e veta […]
Në fshatrat Qyshk, Zahaq, Llabjan e Pavlan të Komunës së Pejës, të hënën janë përkujtuar mbi 100 qytetarë të këtyre katër fshatrave, të vrarë e të masakruar para 19 vjetëve nga forcat serbe.
Në mesin e të vrarëve ka pasur edhe disa banorë të disa fshatrave të tjera, që kishin ikur nga fshatrat e veta dhe ishin strehuar në to, ku të hënën edhe u bënë homazhe, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në këto homazhe ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar që të dënohen kryerësit e krimeve në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-99.
“Jemi në Qyshk, është njëra prej ngjarjeve dhe dhimbjeve më të mëdha të kohës së luftës, pra një masakër e plotë ndaj civilëve të pafajshëm të pambrojtur. E vërteta është që kemi plot vende ku pushojnë qindra qytetarë të pafajshëm”, u shpreh Haradinaj. Ai tha se krimet e kryera të Kosovë nga forcat serbe janë ndër më të mëdhatë që kanë ndodhur pas luftës së Dytë Botërore në Evropë.
“Kjo dëshmon për rrugën e vështirë deri në liri njëkohësisht për dhimbjen e madhe, por është edhe një porosi për drejtësinë si vendore, si ndërkombëtare që të vendosë drejtësia dhe të dënohen kryerësit e këtyre krimeve ndër më të mëdhatë që kanë ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë”.
Kryeministri Haradinaj ka bërë homazhe edhe në fshatrat Pavlan, Zahaq e Llabjan. Pa dashur t’i përziejë as ngjarjet e as veprat, moszbulimi dhe dënimi i autorëve të masakrave, sipas kryeministrit, është një padrejtësi.












