Për 18 vjet, stafi mjekësor është rekrutuar jashtëligjshëm

Për 18 vjet, QKUK-ja e më vonë edhe ShSKUK-ja, ka rekrutuar staf mjekësor në kundërshtim me ligjin. Dhjetëra kandidatë për infermierë ishin listuar në listat e pritjes në konkursin e fundit të shpallur në dhjetorin e kaluar, por disa prej tyre nuk arritën të punësohen pasi këto lista tashmë janë anuluar, raporton KTV. Në […]
Për 18 vjet, QKUK-ja e më vonë edhe ShSKUK-ja, ka rekrutuar staf mjekësor në kundërshtim me ligjin.
Dhjetëra kandidatë për infermierë ishin listuar në listat e pritjes në konkursin e fundit të shpallur në dhjetorin e kaluar, por disa prej tyre nuk arritën të punësohen pasi këto lista tashmë janë anuluar, raporton KTV.
Në marsin e këtij viti, Inspektorati i Punës i kishte kërkuar ShSKUK-së që të zhvlerësonte listat rezervë, sepse një mënyrë e tillë e rekrutimit të stafit përmes listave rezervë nuk ka bazë ligjore.
Por Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës kishte bërë ankesë duke e arsyetuar procesin me nevojën e madhe për infermierë.
“Pas pranimit të këtij vendimi, SHSKUK-ja ka parashtruar ankesë, por është refuzuar nga Inspektorati i Punës. QKUK-ja, për shkak të specifikave dhe nevojave shumë të mëdha për infermierë të profileve të ndryshme, përmes konkursit publik, krahas pozitave të rregullta, ka disa vjet që ka publikuar edhe listat rezervë”, ka thënë drejtoria e ShSKUK-së.
Por komisioni i shkallës së dytë i Inspektoratit të Punës e ka hedhur si të pabazë këtë ankesë, duke precizuar këtë radhë se Ligji i Punës obligon punëdhënësin në sektorin publik që të shpallë konkurs publik sa herë që pranon një punonjës.
Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, i cili gjendet në një punëtori jashtë Kosovës, i ka thënë KTV-së se në asnjë ligj s’ekziston termi “vend pune rezervë”.
Më 10 maj, ky institucion anuloi pjesërisht konkursin për plotësimin e vendeve të lira të punës me marrëveshje. Por disa prej kandidatëve në këtë listë kanë nisur punën, madje edhe këtë javë.
Drejtoria e ShSKUK-së thotë se megjithëse ka zbatuar vendimin e Inspektoratit të Punës, për shkak të nevojave urgjente për infermierë të përgjithshëm, ka lidhur kontratë mbi vepër për kohë të caktuar me disa infermierë nga lista rezervë.
Disa prej kandidateve që kanë qenë në listat rezervë janë takuar me drejtorin e ShSKUK-së, Basri Sejdiu, por të njëjtit kanë refuzuar të flasin para kamerave me pretendimin se punojnë në institucione private dhe rrezikojnë të mbesin pa punë.
Sidoqoftë, lidhur me konkursin në fjalë, Policia e Kosovës kishte bërë hetime muaj më parë, pasi disa prej kandidatëve kishin prezantuar në KTV fakte se si ishin shitur vendet e punës, por lënda u procedua tutje në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, me arsyetimin se Policia nuk kishte gjetur fakte të mjaftueshme.












