Një vit nga rrahja brutale e Arbana Xharrës: Asgjë e re, asnjë i dyshuar

Janë bërë fiks një vit që kur ish-gazetarja Arbana Xharra, tashmë pjesë e kabinetit të kryeparlamentarit Kadri Veseli, është sulmuar fizikisht nga persona ende të panjohur. Ishte 13 maji i vitit 2017 kur u raportua për një sulm fizik në Prishtinë, e që viktimë ishte Arbana Xharra, e cila në parkingun e banesës në […]
Janë bërë fiks një vit që kur ish-gazetarja Arbana Xharra, tashmë pjesë e kabinetit të kryeparlamentarit Kadri Veseli, është sulmuar fizikisht nga persona ende të panjohur.
Ishte 13 maji i vitit 2017 kur u raportua për një sulm fizik në Prishtinë, e që viktimë ishte Arbana Xharra, e cila në parkingun e banesës në të cilën jetonte, në orët e vona të mbrëmjes u rrah brutalisht.
Por që nga ajo kohë, Policia e Kosovës ende nuk ka arritur të identifikojë dorasit e këtij sulmi, ndërkohë që rasti është ende nën hetime.
Periskopi ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, të cilët kanë thënë se prokurori ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informacioneve rreth këtij rasti, por që deri më tani nuk ka asgjë konkrete.
‘ Prokuroria ka lëshuar një autorizim për grumbullimin e informatave nga ana e Policisë së Kosovës. Ende nuk ka të dyshuar, por që organet kompetente janë duke u marrë me këtë rast ‘, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore për Periskopin.
Ish-kryeredaktorja e së përditshmes ‘Zëri’ dhe anëtarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbana Xharra, ishte rrahur me mjete të forta, nga persona ende të panjohur.
Sulmi, siç kishte njoftuar Policia e Kosovës, kishte ndodhur në afërsi të banesës së saj pas orës 01.00 pas mesnate. Xharra nga lëndimet trupore që kishte marrë, ishte dërguar në spitalin e Prishtinës.
Arbana Xharra në atë kohë kishe dhënë detaje rreth asaj se çfarë kishte ndodhur atë natë. Ajo ka përmendur disa nga miqtë e saj, për të cilët thotë se e kanë linçuar dhe për shkak të tyre, e plotë deklaratave të tjera kundër saj në rrjetet sociale, rezultoi edhe sulmi fizik.
Kujtojmë që sulmi kishte ndodhur vetëm pak ditë pasi gazetarja Xharra i ishte bashkuar PDK-së, parti të cilën për vite të tëra e kishte kritikuar. Qytetarët dhe gjithë opinioni publik kishin mbetur të habitur me këtë veprim të saj, madje ishte akuzuar se Kadri Veseli i kishte ofruar asaj ndonjë post të rëndësishëm si këmbim.
Por Xharra në ditën ku e bëri zyrtare bashkimin e saj me Partinë Demokratike të Kosovës, kishte thënë se e kishte hyrë pa kushte.
“Është kjo parti e cila më premtoi hapësirë, kam ardhur pa asnjë kusht. Kam me vazhdu me dinjitet me punu, kam me vazhdu me qenë zëri i qytetarit të Kosovës. Vazhdojë me qëndru prapa shkrimeve që kam ba dhe kam me vazhdu me qendru kritikuese edhe brenda partisë”, ishte deklarata e saj.
Tani ajo vazhdon të jetë pjesë e PDK-së, ndërkohë që nuk dihet ende se kush i la të mavijosura në fytyrë e trup./Periskopi/















