Molliqaj: Këto janë tri dallimet e mëdha mes VV’së e PSD’së

Sipas Dardan Molliqajt, tash deputet i Partisë Socialdemokrate, dikur pjesë e Vetëvendosjes, ka disa dallime mes këtyre dy partive. Ai ka thënë se janë tri dallime të mëdha në mes të Vetëvendosjes dhe grupit të larguar nga kjo parti, e që së fundmi doli në PSD. Sipas tij, dallimi i parë ishte socialdemokracia, i dyti […]
Ai ka thënë se janë tri dallime të mëdha në mes të Vetëvendosjes dhe grupit të larguar nga kjo parti, e që së fundmi doli në PSD.
Sipas tij, dallimi i parë ishte socialdemokracia, i dyti ishte qasja dhe metoda në politikë si dhe parimi si shihet zhvillimi i Kosovës.
Molliqaj ka thënë se në Partinë Socialdemokrate ka më shumë mendime sa i përket çështjes së bashkimit me Shqipërinë dhe kjo parti ka kërkuar ndryshimin e nenit të Kushtetutës për të drejtën e referendumit dhe për të drejtën e vetëvendosjes së qytetarëve. Ai ka deklaruar se PSD nuk dëshiron përplasje mes kombeve, por dëshiron që “shteti të jetë i qytetarëve e të mos ketë organizime në baza etnike ose historike”.
“Në partinë që jemi ka njerëz që mendojnë se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është i drejtë, i nevojshëm e që sjell zhvillim si dhe ka njerëz që thonë se bashkimi nuk është i nevojshëm, nuk është i domosdoshëm. Unë jam në të parin, sepse besoj që kjo çështje është e rëndësishme për shkak të disa dimensioneve. E përbashkëta jonë është shteti qytetar, socialdemokracia, e drejta e shtetit për referundim dhe vetëvendosje”, ka thënë Molliqaj në Interaktiv.
Ai ka folur edhe për emrin e partisë.
Sipas Molliqajt, programi socialdemokrat i deputetëve që u larguan nga Vetëvendosje, duhej të lidhej me një parti me emër të tillë dhe kjo parti tashmë ekzistonte në skenën politike.
“Të gjithë ne që jemi pjesë e PSD-së i kemi diskutuar gjatë parimet mbi të cilat mund të vazhdojmë në politikë. Në bazë të asaj që kemi bë publike kemi bërë të qartë që është drejtimi i majtë. Ka qenë opsioni që të jemi pjesë e PSD-së, që kishte emër pikërisht të asaj që ishim ne. Ishte krejt për shkak të emrit sepse u përcaktuam për orientim socialdemokrat. Vlerësuam se ishte më e drejtë të ishim pjesë e një partie që ekziston. Ka pas mjaft kreativitet dhe mundësi që të krijohet parti. Duhen 500 nënshkrime që e mbështesin nismën dhe më pas çështje procedurale të cilat ne nuk i kishim mungesë. Nuk kishte të bënte as me lodhjen e njerëzve sepse njerëzit përfshihen dhe angazhohen në politikë, por ishte përcaktimi jonë që të ishim socialdemokratë në parime e vlera e donim që programin tonë ta bënim direkt me emrin, e që ishte Partia Socialdemokrate. Po të mos ekzistonte kjo parti, e them me bindje, do të bënim ne Partinë Socialdemokrate”, ka thënë ai.












