Kush është në të vërtetë politikani serb që e njeh Kosovën dhe i shpëtoi shumë atentateve?

Çedomir Jovanoviq i Partisë Liberaldemokrate serbe është deputet në parlamentin sërb dhe i ka bërë thirrje vendit të tij që të njohë pavarësinë e Kosovës, përcjell Periskopi. Dje ai u takua me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z.Albin Kurti. Aktivizmi i tij politik ka bërë që ndaj tij të bëhen disa tentim-vrasje dhe sulme fizike. Më […]
Çedomir Jovanoviq i Partisë Liberaldemokrate serbe është deputet në parlamentin sërb dhe i ka bërë thirrje vendit të tij që të njohë pavarësinë e Kosovës, përcjell Periskopi.
Dje ai u takua me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z.Albin Kurti.
Aktivizmi i tij politik ka bërë që ndaj tij të bëhen disa tentim-vrasje dhe sulme fizike. Më 6 shkurt të vitit 2001, një pajisje shpërthyese i kishte shkatërruar veturën. Pastaj, më 31 mars, ai poashtu u sulmua gjatë skenës së arrestimit të Millosheviqit, derisa po punonte si negociator. Në korrik të 2002-s, Ministri i Brendshëm, Dushan Mihajloviq, kishte thënë se Çeda kishte qenë në të gjitha listat e vrasjeve të “qendrave të pushtetit”.
Në vitin 2004, ai u dëbua nga Partia Demokratike pasi i kishte shkelur protokollet e partisë. Në nëntor të vitit 2005, ai themeloi partinë e tij të quajtuar Partia Liberal Demokrate. Ai ka qenë dy herë kandidat për president, në vitin 2008 dhe 2012.
Çedomir Jovanoviq ka lindur në një klasë të shtresës së mesme në Beograd.
Koha sa e kishte bërë shërbimin ushtarak, në Bosnje, gjatë kohës së luftës – i kishte injektuar atij ide të reja dhe megjithëse njëherë ishte krenuar me përvojën ushtarake, më vonë kishte ndjerë pendim për të.
Ai ka studituar për dramaturgji, por asnjëherë nuk ka punuar në profesionin e tij, duke i shkruar vetëm disa drama të cilat kurrë nuk u vunë në skenë e as publikuan.
Jovanoviqi ishte një prej liderëve studentorë që protestuan në Beograd gjatë dimrit të viteve 1996/97. Gjatë kësaj kohe ai ishte i ndjekur nga Shërbimi i Sigurimit shtetëror. Protestat nuk kishin qenë paqësore dhe kishin rezultuar me shumë përplasje me policinë, në shumë raste.
Ai u zgjodh si deputet qysh në zgjedhjet parlamentare të vitit 2000, kur ishte 27 vjeç për t’u bërë më pas cak sulmesh të ndryshme që kishin të bënin me qëndrimet e tij, shkruan Periskopi.
Në kohën kur një njësi qeveritare e maskuar e kishte rrethuar vilën e fortifikuar të Millosheviqit, Jovanoviqi kishte negociuar me të dhe e kishte bindur që të dorëzohej paqësisht. Ai ka treguar se gjatë asaj kohe sa Millosheviqi po dorëzohej në polici, e bija e tij Marija, i kishte kërkuar atij të bënte vetëvrasje e të mos dorëzohej. Ndërsa Millosheviqin e kishin marrë autoritetet, Jovanoviqi ishte larguar nga sigurimi pas së cilës Maria kishte shtënë me revole në makinën ku ishte ulur politikani sërb.
Çedomir Jovanoviq kishte thënë se më shumë ishte frikësuar mos bodigardët do ta qëllonin Marijan, të bijën e Millosheviqit, se për jetën e tij.
Jovanoviq ka qenë poashtu i akuzuar nga oponentët e tij politikë për lidhjet me mafian serbe, konkretisht me liderin e klanit mafioz Zemun dhe të personit që u dënua për organizimin e vrasjes së kryeministrit serb Zoran Gjingijq.
Përveçse e njeh pavarësinë e Kosovës, ai është shprehur edhe se Republika Srpska është krijuar nga një gjenocid – duke shkaktuar reagime të ashpra në vendin e tij.












