Kryeministri kundër propozimit të Llukës që t’u vendoset taksë mallrave serbe

Qeveria e Kosovës nuk po e përkrah kërkesën e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, që mallrave serbe t’u vendoset një taksë. Një kërkesë e tillë, e bërë në një nga mbledhjet e Qeverisë, ka për qëllim rritjen e presionit ndaj palës serbe për të zhbllokuar marrëveshjen e energjisë, raporton KTV. Mirëpo, një kërkesë […]
Qeveria e Kosovës nuk po e përkrah kërkesën e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, që mallrave serbe t’u vendoset një taksë.
Një kërkesë e tillë, e bërë në një nga mbledhjet e Qeverisë, ka për qëllim rritjen e presionit ndaj palës serbe për të zhbllokuar marrëveshjen e energjisë, raporton KTV.
Mirëpo, një kërkesë e tillë për Qeverinë nuk duket e përshtatshme në këto rrethana.
Këshilltari i kryeministrit, Haki Shatri, i ka thënë KTV-së se vendosja e taksave bëhet vetëm në atë moment kur lidhet me efektet ekonomike, ndërsa marrëveshja për energjinë është politike.
Si shpresë tjetër, MZHE-ja po e sheh takimin e 29 majit në Bruksel.
Por, profesori Agron Dida, ka një propozim për autoritetet kosovare për mënyrën e zhbllokimit të kësaj marrëveshjeje.
Ai thotë se, pavarësisht lojërave, Serbia nuk mund të aneksojë liqenin e Ujmanit.
Zyra e BE-së në Kosovë i ka thënë KTV-së se pret nga të dyja palët që të angazhohen për zbatimin e marrëveshjes, e sidomos Serbia në veçanti që e ka detyrimin për të ecur përpara me zbatimin e saj.
Sipas të dhënave të Operatorit të Sistemit dhe Transmisionit-KOSTT, niveli i shpenzimit të energjisë në pjesën veriore të vendit është në rënie.
Ndërsa, përpos 1 milionëve të dhënë kohë më parë nga Qeveria, shpenzimi i energjisë në atë pjesë nuk po subvencionohet më.












