‘Hib Petrol’ reagon pas dënimit me burg të pronarit dhe gjobitjes nga gjykata

Gjykata Themelore në Prishtinë, në seancën e sotme ka shpallur fajtor Kujtim Bucaliun dhe HIB Petrol shpk, për mashtrim të Komunës së Prishtinës me naftë jocilësore. Pas vendimit të Gjykatës ka reaguar kompania “Hib Petrol” përmes një kumtese për media, ku ka thënë se janë shokuar nga vendimi i Gjykatës. Në kumtesë thuhet se […]
Gjykata Themelore në Prishtinë, në seancën e sotme ka shpallur fajtor Kujtim Bucaliun dhe HIB Petrol shpk, për mashtrim të Komunës së Prishtinës me naftë jocilësore.
Pas vendimit të Gjykatës ka reaguar kompania “Hib Petrol” përmes një kumtese për media, ku ka thënë se janë shokuar nga vendimi i Gjykatës.
Në kumtesë thuhet se kompania “Hib Petrol” ka rënë viktimë e qëllimeve dashakeqe, dhe se deri sot kanë besuar ne drejtësi.
“Jemi të shokuar nga vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe njëkohësisht të indinjuar që edhe një herë kompania jonë po bëhet viktimë e qëllimeve dashakeqe. Ne deri sot kemi besuar në drejtësi dhe kontestet tona gjithmonë jemi munduar t’i zgjidhim përmes rrugëve ligjore”, thuhet në kumtesën e lëshuar për media.
Ata kanë thënë se ndihen totalisht të pambrojtur në këtë vend, ku drejtësia sipas tyre vazhdon të dirigjohet.
“Kontributin dhe sakrificën tonë për këtë vend e kemi dëshmuar me dekada por nuk do të pranojmë të bëhemi viktimë e kurrfarë qëllimi. Nëse ne si një ndër kompanitë më të mëdha në vend, me mbi 1,000 të punësuar, ndihemi totalisht të pambrojtur në një vend ku drejtësia është e dirigjuar atëherë si ndihet një qytetar i thjeshtë?”, thuhet në të.
Përmes kumtesës kanë thënë se besojnë fuqishëm që aktgjykimi nuk është i bazuar në prova kredibile ligjore, dhe se ky vendim sipas tyre nuk është vendim për të cilin provat e administruara e kanë dëshmuar të kundërtën.
“Ne besojmë fuqishëm që aktgjykimi nuk është bazuar në prova kredibile ligjore, ndërkohë që kemi parë refuzim të vazhdueshëm në prezantimin e provave të palës mbrojtëse. Me bindje të plotë theksojmë se Aktgjykimi i dhënë sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë nuk është vendim i marrë në bazë të asaj që është trajtuar në Gjykatë. Provat e administruara kanë dëshmuar të kundërtën. Por, fatkeqësisht Gjykata shpalli një aktgjykim të pabazuar në prova”, thuhet në kumtesë.
Ata kanë shtuar se nuk do të ndalen se kërkuari drejtësi, duke ndjekur të gjitha rregullat ligjore, dhe se kjo çështje do ketë një fund të mirë.
“Ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi duke ndjekur të gjitha rrugët ligjore, dhe besojmë fuqishëm se kjo çështje do të ketë fundin e mirë me shpresën që edhe ky vend të fillojë të ketë drejtësi”, thuhet në kumtesë.
Gjykata dënoi Kujtim Bucaliun me dënim unik, prej 4 vjet burgim si dhe dënim me gjobë në vlerë 15 mijë eurove.
Ndërsa përfaqësuesit juridik të HIB Petrol shpk, Shkelzen Hetajt gjykata i shqiptoi dënim unik me gjobë në vlerën prej 30 mijë euro.












