Zyrtari i AKR-së: S’jemi parti bllokuese, nuk e lidhim rastin e Sefajt me drejtorin e AKI-së

Flamur Sefaj është dorëhequr sot nga pozita e ministrit të Brendshëm. Kjo ka ndodhur disa ditë pas kërkesës së kryeministrit, Ramush Haradinaj, që Sefaj ‘ta lironte detyrën’, pas arrestimit dhe deportimit që gjashtë shtetasve turq, me dyshimin se janë gylenistë. Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka thënë se Sefaj ka qenë ministri më […]
Kjo ka ndodhur disa ditë pas kërkesës së kryeministrit, Ramush Haradinaj, që Sefaj ‘ta lironte detyrën’, pas arrestimit dhe deportimit që gjashtë shtetasve turq, me dyshimin se janë gylenistë.
Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka thënë se Sefaj ka qenë ministri më i suksesshëm, duke pohuar se kërkesa që ai ta lironte detyrën e ministrit ka shkaktuar nervoz dhe zemërim ndër ta, njofton Klan Kosova.
“AKR-ja gjithmonë është shquar me traditën shtetformuese, duke sakrifikuar edhe interesat e saja në dobi të shtetit, çka nuk ndodh me partitë tjera. Ne jemi ata që kemi ndikuar direkt në formimin e kësaj qeverie, andaj çdo veprim i yni do të jetë së pari duke u bazuar në interesin e shtetit dhe për të mirën e tij dhe për ngritjen e imazhit të shtetit”, ka thënë Makolli për klankosova.tv.
Makolli ka deklaruar se dorëheqjen e ministrit nga partia e tyre nuk e lidhin aspak me dorëheqjen potenciale të drejtorit të AKI-së, Driton Gashi, së cilit i është bërë kërkesa e njëjtë nga Haradinaj.
“Ne nuk jemi parti bllokuese por përkundrazi, andaj nuk kemi dashtë ta lidhim rastin me shefin e AKI-së me rastin e ministrit tonë”.
“Duke u bazuar në të gjitha këto dhe duke pasë parasysh gjithmonë interesin e shtetit mbi të gjitha, Flamur Sefaj, ka pranuar kërkesën për lirim nga detyra edhe pse nuk ka qenë aspak fajtor, por ka qenë ndjenja morale që e ka shtyrë ta bëjë këtë, pas situatës së krijuar në opinionin publik. Poashtu për të kontribuuar për daljen nga kjo situatë e krijuar pa fajin e tij, ka ndërmarr këtë hap – ka dhënë dorëheqje”.
Makolli ka thënë se veprimi i Sefajt është për t’u përshëndetur pasi që me këtë vendim ai ka treguar, sipas tij, që është personalitet i nivelit të lartë intelektual e kulturor dhe që di të marrë vendime në momentet e vështira dhe të duhura.
“Sefaj e ka sakrifikuar vetën e tij për të mirën e shtetit. Ai ka treguar se shteti është mbi gjithçka”.












