Xhavit Haliti – Rugovës: Falë ‘azilantëve’ që kanë qenë udhëheqës të luftës ti po flet sot këtu

Deputeti i LDK’së, Naser Rugova ka kundërshtuar deportimin e gjashtë ‘gylenistëve’ që u arrestuan ditë më parë nga autoritete kosovare. Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit që po mbahet për deportimin e ‘gylenistëve’, Rugova tha se paramendojeni nëse aeroplani që mori të arrestuarit, të ishte i shërbimit rus apo iranian dhe sikur do t’i merrte […]
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit që po mbahet për deportimin e ‘gylenistëve’, Rugova tha se paramendojeni nëse aeroplani që mori të arrestuarit, të ishte i shërbimit rus apo iranian dhe sikur do t’i merrte liderët institucional, duke aluduar në kryeministër Ramush Haradinaj, kryeparlamentarin Kadri Veseli e presidentin Hashim Thaçi.
Sipas tij, emëruesi i përbashkët i këtij veprimi do të ishte çlirimi i këtij vendi dhe i këtij populli.
“Këta njerëz e kanë vra shpresën e fundit të këtij vendi. Në vend që e tërë Qeveria të ishte këtu, i dërgojnë disa ministra që janë si adoleshenta që ende nuk e kanë kryer maturën. Na e dimë që liderët janë të paaftë e analfabetë. Paramendo vitet nga 1995, 1996 e 97, kur liderët tanë institucional kanë qenë azilkërkues në Zvicër. Paramendoni këta azilkërkues që tani e luajnë rolin e të fortit, arsyetohen. Mblidhni çaklat kadal kadal e lirojeni këtë vend”, ka thënë Rugova.
I menjëhershëm ishte reagimi i nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK’së, Xhavit Haliti.
“Po ta përkujtoj Zotëri Rugova që ata azilantët kanë qenë udhëheqës të luftës dhe në saje të tyre, ti sot fol këtu. Po ta përkujtoj”, i tha Haliti.
Fjalën pastaj e mori deputeti i LDK’së, Kujtim Shala.
Ai tha se debatet e tilla të rëndësishme nuk mund të kthehen në debate kundër opozitës./Periskopi












