Selmanaj: Kjo Qeveri ka devalvuar në skajshmëri

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Selmanaj në Info Magazine të Klan Kosovës ka konfirmuar se në mbledhjen e Kryesisë së LDK-ja që ka përfunduar pak më parë, temë kryesore kanë qenë procedurat për të çuar vendin në zgjedhje ose jo. “Është diskutuar për zhvillimet […]
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Selmanaj në Info Magazine të Klan Kosovës ka konfirmuar se në mbledhjen e Kryesisë së LDK-ja që ka përfunduar pak më parë, temë kryesore kanë qenë procedurat për të çuar vendin në zgjedhje ose jo.
“Është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend. Vlerësimi është se Kosova gjendet në një krizë politike dhe institucionale. Tashmë nuk kemi një qeverisje të shumicës parlamentare, por kemi qeverisje të pakicës. Mund të konsiderohet se kjo qeveri është e rrëzuar, sepse nuk i ka as numrat e nevojshëm”.
“Si e tillë, LDK vlerëson se kjo Qeveri nuk ka potencë politike për t’i trajtuar temat e mëdha në vend. Si e devalvuar në skajshmëri, i vetmi instrument që i jep zgjidhje situatës janë zgjedhjet e parakohshme”.
“Nuk kemi alternativë, duke parë se qeverisja ka degraduar në çdo aspekt”.
Selmanaj ka thënë se LDK-ja është e gatshme që në diskutim me partitë e tjera politike të caktojë datën e re të zgjedhjeve në Kosovë.
“Mirë është që të kemi proces të organizuar. LDK është e mendimit që ne jemi të gatshëm të hymë në proces të mirëorganizuar zgjedhor, me konsensus të përgjithshëm, në mënyrë që të kemi proces të rregullt zgjedhor dhe më pas të dalim me institucione të reja dhe të qëndrueshme”.
Selmanaj ka folur edhe për mundësinë që qeveria në krye me Ramush Haradinajn të rrëzohet me mocion mosbesimi.
“Nuk është çështje mocioni. Mund ta ngrisim nesër dhe besoj se do t’i kemi nënshkrimet edhe të Vetëvendosjes, edhe të Grupit të Deputetëve të Pavarur, ndoshta edhe të Listës Serbe tash”.
“Ne e kemi kritikuar këtë Qeveri për keqqeverisje, edhe për mënyrën si është sjellë me tema të mëdha, por edhe për keqtrajtimin e buxhetit të shtetit”.
“Në momentin kur ndodhi rasti i veriut dhe involvimi i shtetit serb që pasoi me tërheqjen e Listës Serbe, atëherë ne morëm vendim si LDK”.
“I thamë Haradinajt se nuk do ta rrëzojmë sepse nuk jemi agjendë e Beogradit, përkundër që mund të kenë ndonjë raport me bartësit e institucioneve”.
“Nuk donim që Qeverinë e Kosovës ta rrëzonim për shkak të Beogradit”.












