Llafe kundër korrupsionit dhe premtime për viza – detaje nga mbledhja ku morën pjesë Thaçi e Haradinaj

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj bashkë me presidentin Hashim Thaçi sot kanë marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit. Në këtë mbledhje, ata kanë folur për luftën kundër korrupsionit dhe çështjen e liberalizimit të vizave. Thaçi në këtë mbledhje, nuk dha ndonjë afat për vizat, ashtu siç bënte dikur, por Haradinaj po. Ai […]
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi sot se janë bërë hapa konkretë në forcimin e sundimit të ligjit dhe se është bërë progres në luftën kundër korrupsionit, por ka ende për të bërë në këtë drejtim.
Ai gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar kundër korrupsionit e pranoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është e lehtë, por ka ende punë për të bërë.
“Gjatë dhjetë vjetëve të fundit Kosova ka marrë një sërë veprimesh për sundimin e ligjit. Kosova ka miratuar legjislacion për këtë fushë. Kosova ka pasur sfida në zbatimin e legjislacionit. Ky proces që ka për qëllim forcimin e mekanizmave për luftën kundër korrupsionit do të ketë mbështetjen time dhe të zyrës sime”, tha ai.
Presidenti Thaçi tha se në mënyrë graduale është rritur numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe është rritur buxheti për institucionet e sundimit të ligjit.
Ndër ligjet e miratuara deri më tash në luftën kundër korrupsionit, ai përmendi ligjin për kodin penal, kodin e procedurës penale, ligji për gjykatat, ai për këshillin prokurorial, për policinë, Agjencinë Kundër korrupsionit, ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, si dhe ligje të tjera.
Kreu i shtetit po ashtu tha se Kosova ka plotësuar tashmë 95 kriteret e domosdoshme për liberalizmin e vizave.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se vendi ynë është duke e kaluar një periudhë të rëndësishme në reformat që janë të domosdoshme dhe që e kanë në fokus sistemin e drejtësisë.
Ai këto komente i bëri në mbledhjen e Këshillit Kombëtar kundër Korrupsionit, me ç’rast ka folur për punën e deritanishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Kosova vërtet është serioze në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe se në këtë proces kemi garanci se në këtë proces do të jemi të suksesshëm. Pasi që po ndodh konsolidimi i institucioneve të ligjit. Kosova do të kthehet në storie të suksesit”, tha Haradinaj.
Ai po ashtu theksoi se liberalizimi i vizave është një çështje urgjente dhe shpreson se gjatë ditëve në vijim BE-ja do të japë lajmin për liberalizimin e vizave.












