Kurti: Martin Luther King Jr nuk ishte moralizues, por një organizator thellësisht politik

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes postimi në Facebook ka kujtuar Martin Luther Kingun Jr., në 50 vjetorin e vrasjes së tij. Kurti thotë se ai ishte thellësisht politik, nuk ishte moralizues por një organizator. Më poshtë mund ta lexoni postimin e tij të plotë: Pesëdhjetë vjet më parë në Memfis të Tenesisë u […]
Kurti thotë se ai ishte thellësisht politik, nuk ishte moralizues por një organizator.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e tij të plotë:
Pesëdhjetë vjet më parë në Memfis të Tenesisë u vra veprimtari i shquar i çlirimit dhe i barazisë, Martin Luther King Jr.
Shumë fjalë nderimi janë thënë e do të thuhen për M.L. King Jr., e unë nuk dëshiroj të zgjatem. Veçse dëshiroj të theksoj dy elemente.
Dr. King shpesh përmendet si udhëheqës i lëvizjes për të drejta të barabarta civile, në një kohë kur afro-amerikanët jetonin të diskriminuar edhe ligjërisht. Mirëpo, të drejtat formale afro-amerikanët i mbërritën në vitet 1964-65. Çfarë bëri Martin Luther King Jr. atëherë, a u ndal? A u mjaftua ai me abrogimin e ligjeve diskriminuese dhe me arritjen e të drejtave formale për popullin e tij? Jo.
Martin Luther King Jr. në atë kohë planifikoi hapin e dytë të lëvizjes së tij, atë të rrugës drejt barazisë shoqërore e ekonomike. Pra, ai nuk mbeti thjesht një aktivist i të drejtave njerëzore, në kuptimin e dikujt të depolitizuar apo apolitik. Jo, ai ishte thellësisht politik. Nuk ishte moralizues, ishte organizator. Një ditë para se të vdiste, ai ishte pjesëmarrës në grevat dhe protestat e punëtorëve të pastrimit në Memfis, që ishin kryesisht afro-amerikanë. Por ai nisi të organizohej gjithnjë e më shumë edhe bashkë me punëtorët e të papunët e bardhë. Nuk u kufizua në një çështje të ngushtë përfaqësimi të një komuniteti, por u angazhua gjerësisht në shoqëri.
Pra, edhe pse sot njerëzit lexojnë pak, është mirë të dihet se MLK nuk ka qenë figurë politike njëdimensionale.
Ai ka qenë aktivist i të drejtave civile, por edhe veprimtar politik radikal.
Ai ka qenë pacifist dhe ithtar i mosushtrimit të dhunës ndaj asnjë njeriu, mirëpo ai nuk i është bindur urdhrave të policisë për t’i ndalur marshimet paqësore që më pas kanë eskaluar në përplasje.
Ai ka qenë universalist, por universalen e ndihmonte të realizohej duke çliruar më së pari popullin dhe kombin e vet.
Ai ka qenë për të drejta formale e barazi ligjore, por kur e arriti këtë e vazhdoi betejën edhe për barazi përmbajtësore, shoqërore e ekonomike.
Ai ka qenë udhëheqës i afroamerikanëve, punoi e luftoi konkretisht për ta, por nuk kërkoi izolimin e tyre, përkundrazi punoi për ndërtimin e një lëvizjeje të shtresave të varfra, pavarësisht racës.
Ai ishte klerik i krishterë, që u frymëzua prej një besimtari hindu, siç ishte Gandhi, dhe bashkëpunoi me një mysliman, siç ishte Malcolm X. Dhe në lëvizjen e tij politike bashkëpunoi me njerëz të të gjitha feve e me ateistë. Ai nuk toleronte, ai bashkëpunonte. Bashkëpunimi ishte shumë më i mirë se toleranca.
E respektojmë kujtimin dhe traditën e Martin Luther King Jr., dhe e përkujtojmë me këtë citat të tijin: “Paqja nuk është thjesht mungesa e dhunës. Paqja është prania e drejtësisë”.












