Komuna e Prishtinës injoroi kërkesën e SKV’së – A ishte hakmarrje ndaj VV’së? (Foto)

Komuna e Prishtinës injoroi kërkesën e SKV’së – A ishte hakmarrje ndaj VV’së? (Foto)

Organizata Studentore “Studim, Kritikë, Veprim” mbrëmë ka festuar tetë vjetorin e themelimit me një ndejë në Parkun e Qytetit në Prishtinë. Por, jo gjithçka shkoi ashtu siç ishte planifikuar. Festa e tyre u ndërpre dy herë nga Policia e Kosovës. Herën e dytë aksioni i Policisë përfundoi në përplasje me aktivistët, gjashtë prej të cilëve […]

Për nder të tetë vjetorit të themelimit, Organizata Studentore “Studim, Kritikë, Veprim”, e themeluar nga studentë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje organizoi ndejë në Parkun e Qytetit në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:00.

Kjo ndejë e shoqëruar me muzikë nga një bend e ku do të transmetohej një dokumentar, u ndërpre nga Policia e Kosovës.

Në një rrëfim për Periskopi, studenti Flamur Pireva tregon se zyrtarë policorë kishin shkuar në Park, ku po mbahej ndeja, rreth orës 21:00.

Arsyetimi i Policisë ishin ankesat e banorëve përreth për zhurmën që po vinte nga organizimi.

Policia ishte informuar për lejen që Organizata ia kishte drejtuar Komunës së Prishtinës për këto aktivitete.

Por, kërkesa e studentëve për Komunën e udhëhequr nga Shpend Ahmeti u injorua.

Komuna e Prishtinës nuk e kishte shqyrtuar fare kërkesën e tyre. Nuk ua kishte aprovuar, as nuk ua kishte refuzuar, përcjell Periskopi.

Për këtë çështje, Periskopi ka kontaktuar me dhjetëra herë zyrtarë të Komunës së Prishtinës, të cilët as nuk e kanë marrë mundin që të përgjigjen.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri është kontaktuar dhjetëra herë nga Periskopi. Por, nuk është përgjigjur.

Pas thirrjeve të vazhdueshme, ai ka kërkuar që t’i shkruhet mesazh.

Përmes mesazhit, Tahirit i është kërkuar që të na tregojnë nëse Komuna e Prishtinës ka pranuar kërkesën për aktivitet nga SKV’ja, dhe nëse po pse ajo kërkesë nuk ka marrë përgjigje.

Ai nuk i është përgjigjur as disa mesazheve të Periskopit.

Për të njëjtën çështje, Periskopi ka kontaktuar Zyrën për Informim në këtë Komunë, por asnjëherë të vetme telefoni nuk është hapur nga ta.

Ndërsa, nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës na është thënë që për çështje duhet kontaktuar zyrtarët për informim, të cilët ishin të pa-qasshëm gjatë tërë ditës së sotme.

Pireva i ka thënë Periskopit se me organizimin e aktivitetit të tyre në Parkun e Qytetit, nuk kishte zaptim të hapësirës publike.

“Ky aktivitet ishte një ndër aktivitetet e ndryshme që bëhen nga grupe e organizata të ndryshme në Parkun e Qytetit”, thotë ai.

Ai tregon se si erdhi deri te përleshja e Policisë me studentët.

“Pas përpjekjes për arrestim të njërit ndaj organizatorëve, studentë dhe aktivistë kanë dal në mbrojtje të tij, duke u mirëkuptuar sërish me policët që të na japin kohë të marrim të gjitha pajisjet dhe të shpërndahemi. Vetëm pas pak minutash, patrulla të tjera të policisë kanë mbërri në Parkun e Qytetit duke u vërsulur studentëve me shkopa gome dhe sprej”, rrëfen ai për Periskopin.

Në një konferencë për media që mbajtën sot aktivistët e kësaj Organizate, u tha se përveç  gjashtë studentëve të arrestuar, nëntë të tjerë u dërguan në Emergjencë, ndërsa dhjetëra tjerë kanë marrë lëndime nga spreji që Policia ka hedhur ndaj tyre.

Por, Policia jep version krejt tjetër.

Në një përgjigje për Periskopin, zyrtarë për informim nga rajoni i Prishtinës kanë bërë të ditur se tetë zyrtarë policorë kanë mbetur të lënduar gjatë aksionit të mbrëmshëm.

Shkëlzen Xhafa, major në Policinë e Kosovës në një deklaratë për media tha se studentët përveç alkoolit, mbrëmë kishin pirë edhe substanca narkotike.

“Rreth orës 23, saktësisht në ora 22:47, Policia ka marr thirrje nga disa qytetarë, për disa persona që kanë lëshuar muzikë me zë të lartë, janë duke përdorur pije alkoolike dhe janë duke konsumuar narkotikë…nga kjo rezistencë e gjithë pjesëmarrësve janë lënduar tetë persona zyrtarë  të Policisë,  të cilët kanë kërkuar ndihmë në Qendrën e Klinikës Universitare të Prishtinës dhe tre prej tyre kanë pasur lëndime të rënda shëndetësore”, deklaroi ai.

Këtë e kundërshtuan kategorikisht studentët.

Studenti Flamur Pireva thotë se askush nga studentët nuk kanë qenë të përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme ndërkohë që ka bërë thirrje për lirimin e aktivistëve nga arrestimi.

Madje, ai beson se aksioni i djeshëm i Policisë ishte i orkestruar mirë, ndonëse nuk tregon nga kush.

“Përpjekja e Policisë që të gjejë justifikime të vazhdueshme për ndërhyrje ndaj studentëve tregon për një planifikim të orkestruar mirë që të ndërhyhet dhunshëm ndaj nesh”, thotë ai një përgjigje për Periskopin.

Organizimi i djeshëm i SKV’së, injorimi i kërkesës për leje dhe aksioni i Policisë ende mbesin të paqarta.

Nuk dihet pse Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje në kërkesën e studentëve.

“Lëvizja Studentore “Studim-Kritikë-Veprim” (SKV), nesër me datë 12.04.2018 (e enjte) ka përvjetorin e 8-të të organizimit, si rrjedhojë kërkojmë leje për organizimin e disa aktiviteteve në Parkun e Qytetit.  Aktivitetet fillojnë në mbrëmje, me këtë rast do të shfaqet një dokumentar dhe do të ketë muzikë me kitarë”, thuhet në kërkesën e SKV’së drejtuar Komunës së Prishtinës, të cilën Pireva ia ka dërguar Periskopit.

Nuk dihet nëse tensionimi i raporteve mes qeverisjes aktuale të Shpendit Ahmetit dhe Lëvizjes Vetëvendosje ka të bëjë me mos-shqyrtimin e kësaj leje.

Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka dhënë dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje më 7 mars të këtij viti.

Kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i kishte ka mbetur hatri fortë në kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, pas dorëheqjes së tij.

Në një tubim që kishte mbajtur me anëtarë e simpatizantë të qendrës së Prishtinës, pas dorëheqjes së Ahmetit, Kurti ua kishte faturuar gjithë sukseset në mandatin e kaluar në Prishtinë, vetëm atyre që i qëndruan besnik partisë së tij, por jo edhe atyre që u larguan nga Vetëvendosje, duke përfshirë edhe të parin e kryeqytetit./Periskopi

Të ngjashme
"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?