KDI: Të merren masa ndaj deputetëve të cilët kanë përdorur gjuhë jo parlamentare

Fyerjet dhe përplasjet e ndodhura në Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë dy seancave të fundit, kanë nxitur edhe reagimin e Institutit Demokratik të Kosovës, ku përmes një komunikate për media është kërkuar që të ndalohet kjo praktikë e përdorimit të gjuhës jo parlamentare në Kuvend, shkruan Periskopi. Sipas KDI-së, Kuvendi nuk duhet të jetë […]
Sipas KDI-së, Kuvendi nuk duhet të jetë një vend ku sqarohen problemet personale ndërmjet deputetëve, dhe ka kërkuar të merren masa të mënjëhershme ndaj deputetëve të cilët kanë përdorur një gjuhë të tillë.
Çështjet e interesit të përgjithshëm sipas KDI-së do të duhej të ishin tema të diskutimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Gjatë seancës së djeshme në Kuvend ka pasur një përplasje ndërmjet deputetes së VV-së, Drita Millaku, dhe kreut të Kuvendit, Kadri Veseli.
Të ndalohet përdorimi i gjuhës jo parlamentare në Kuvend
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes këtij reagim shpreh shqetësimin lidhur me gjuhën denigruese të përdorur, në veçanti të dy ditëve të fundit, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Është e papranueshme që deputetët e Kuvendit të fyejnë njëri tjetrin dhe të përdorin gjuhë misogjene. Kuvendi i Kosovës si institucioni më i lartë i shtetit, duhet të shërbejë si vend ku promovohen vlerat e demokracisë, të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore, e jo të shndërrohet në arenë ku përplasjet dhe fyerjet janë normale.
KDI i bën thirrje të gjithë deputetëve që t’i japin fund gjuhës jo parlamentare dhe të përmbahen nga fyerjet e vazhdueshme, ndërsa kërkon që të ndërmerren masa të menjëhershme ndaj deputetëve që përdorin gjuhë joparlamentare.
Kuvendi i Kosovës nuk duhet të kthehet në arenë të qërimit të hesapeve personale duke përdorur akuza të ndërsjella dhe diskurs denigrues, që bie ndesh me obligimet kushtetuese të të zgjedhurve.
Diskutimet në Kuvend duhet të orientohen në adresimin e çështjeve me interes ekonomik, social e politik për qytetarët e vendit.












