Ironia e Konjufcës: Gëzohem që Haradinaj ka televizor në shtëpi, përndryshe do mbetej i painformuar

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka marrë fjalën në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për të diskutuar mbi deportimin e 6 shtetasve turq nga Kosova. Konjufca, fjalimin e tij e nisi duke ironizuar me kryeministrin e vendit Ramush Haradinaj, duke thënë se i gëzohet faktit se ai ka televizor në shtëpi, përndryshe […]
Konjufca, fjalimin e tij e nisi duke ironizuar me kryeministrin e vendit Ramush Haradinaj, duke thënë se i gëzohet faktit se ai ka televizor në shtëpi, përndryshe tha se do të mbetej i painformuar për që po ndodh në Kosovë.
“Javën e kaluar më së shumti jam gëzuar që kryeministri ka televizor në shtëpi, për shkak se e ka kuptu se çka po ndodh përmes televizorit. Po ta mos kishte pas, s’do ta kishte kuptu se çka po ndodh në shtetin e tij. Por, po ta kishte vizitu Hashim Thaçin do të ishte informuar edhe më shumë, fill e për pe”, tha Konjufca, raporton Periskopi.
Konjufca, duke qenë i bindur se Thaçi qëndron prapa deportimit të turqve, tha se ai po gënjen kur po e dënon rastin e deportimit.
“Edhe kryeministri, edhe kryetari i Kuvendit, edhe presidenti e dënuan deportimin e turqve. Njëri po gënjen. Unë mendoj se ai që nuk është duke e thënë të vërtetën është Presidenti Hashim Thaçi”, tha ai.
Tutje, ai foli edhe për konsekuencat në rrafshin ndërkombëtar.
“Pas këtyre praktikave një shtet mund të thotë se një vend përmes këtyre praktikave nuk mund të jetë në Evropë. Këto mund të jenë konsekuencat në rrafshin ndërkombëtar”, tha ai.
Konjufca tha se Thaçi dhe Erdogan kanë ndërtuar një raport joligjor ndërmjet vete, përmes favoreve personale.
“Thaçi dhe Erdogan kanë ndërtuar një raport joligjor me njëri-tjetrin që mbështetet në kryerje të favorit ndaj njëri-tjetrit. Ju kujtohet se si Erdogan vinte në fushatë të Hashim Thaçit dhe ky ia shërbente me privatizimin, siç është koncesionimi i aeroportit dhe shitja e distribucionit të KEK-ut. Kjo tregon se ne kemi udhëheqës që janë të pajisur me kompetenca kushtetuese, por që i përdorin këto kompetenca për të kryer favore personale, madje edhe duke i shkelur konventat ndërkombëtare dhe rendin kushtetues në shtetin tonë. Kosova po jep shembullin e vasalitetit në vend se të jep shembullin e partneritetit. Vasalitet është kur një pjesë të shtetit tënd ia jep një shteti tjetër. Këtë ndjenjë e pata javën e kaluar, kur shteti jonë u kthye në një shtojcë të Turqisë”, tha ai. /Periskopi/












