Haxhi Shala ankohet se shefat e AKI-së nuk po raportojnë në Kuvend

Sot në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, duhej të raportonte zëvendësdrejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Latif Merovci, mirëpo me një shkresë zyrtare Merovci ka kërkuar që të shtyhet ky raportim deri sa të sqarohen rrethanat e krijuara në AKI. Haxhi Shala, deputet nga Nisma Socialdemokrate dhe anëtar […]
Sot në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, duhej të raportonte zëvendësdrejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Latif Merovci, mirëpo me një shkresë zyrtare Merovci ka kërkuar që të shtyhet ky raportim deri sa të sqarohen rrethanat e krijuara në AKI.
Haxhi Shala, deputet nga Nisma Socialdemokrate dhe anëtar i komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, në Express Intervistën në KTV,tha se mbetet në përgjegjësinë e Merovcit që s’ishte i pranishëm.
“Në takim është dashur të jetë Merovci por ka munguar. Merovci tha se s’ka qenë i gatshëm, ai i di arsyet e veta, mbase i di edhe kryeministri, por s’ka bërë mirë që s’ka qenë sepse kjo është përgjegjësi dhe ai duhet të jetë i pranishëm sa herë është e nevojshme”, tha Shala.
Shala ka thënë se në ditën që ka ndodhur deportimi i gjashtë shtetasve turq, ata i kanë bërë thirrje drejtorit të AKI-së e më pas edhe zv.drejtorit, por nuk janë lajmëruar. Shala thotë se s’po i përgjigjen komisionit.
Ka thënë tutje se është vendosur që javën tjetër të ftohet përsëri drejtori, dhe presin një përgjigje.
Shala ka thënë se nuk i janë drejtuar presidentit lidhur me këtë çështje, (ani pse presidenti Hashim Thaçi ka një rol të madh në deportimin e shtetasve turq).
Ai ka thënë se kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga inspektorati të hetohet për deportimin e tyre dhe të kuptohet a ka pasur shkelje ligjore.
Shala thotë se komisioni i tyre nuk ka siguruar asnjë raport, mirëpo nuk mohon se mund të ketë raport lidhur me deportimin e gjashtë shtetasve turq.
“Nuk e di çfarë mund të ketë Haradinaj në sirtar, por besoj se nuk ka ende raport zyrtar”, ka thënë Shala duke shtuar se kanë kërkuar ta kenë një raport.
Me kërkesë të LDK-së, që kanë kërkuar të krijohet ky Komision për të zhvilluar debat lidhur me deportimin e tyre, Shala tha se të gjitha partitë kanë qenë të dakorduara për të krijuar këtë komision.
“Jemi duke diskutuar se kush ta udhëheq këtë komision. Në bazë të nënshkrimeve të gjitha partitë opozitare janë iniciuese. Ne si pozitë nuk do ta udhëheqim, do ta udhëheq opozita”, tha Shala.
Shala ka thënë se këtij Komisioni, duhet t’i japin llogari të gjithë individët, qoftë edhe presidenti, sepse sipas tij, ky komision do ta heqë Kosovën nga ‘kaosi i krijuar’.
Tutje ai ka thënë se menjëherë pas përfundimit të krijimit të Komisionit, do të nisin punën e hetimit, dhe shpreson të bëhet brenda një gjashtë mujori.












