Grabovci: I kam thënë prokurores, tash do t’i tregoj të gjitha provat

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë pas publikimit të “Dosjes së Shefave” ku të përfshirë janë shumica zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës. Ish-deputeti i Kuvendit, Adem Grabovci, i cili ishte protagonist i përgjimeve të publikuara në media, ka folur rreth këtij veprimi të organeve të drejtësisë. Ai thekson se tashmë […]
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë pas publikimit të “Dosjes së Shefave” ku të përfshirë janë shumica zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës. Ish-deputeti i Kuvendit, Adem Grabovci, i cili ishte protagonist i përgjimeve të publikuara në media, ka folur rreth këtij veprimi të organeve të drejtësisë.
Ai thekson se tashmë i ka thënë edhe prokurores se tash do t’i tregoj të gjitha rreth këtij rasti.
“Unë kam kërkuar prokurores po e them sot edhe në të ardhmen sepse deri më tash kam heshtë, por unë do t’i tregoj gjitha provat dhe fjalën time do ta dëgjojë çdo qytetar i Replikës së Kosovës dhe do t’i shfrytëzoj të gjitha të drejtat e mia ligjore për ta mbrojë të vërtetën dhe për ta luftuar spekulimin dhe manipulimin që po bëhet. Ndihem tërësisht i pafajshëm”, është shprehur ish-deputeti i PDK-së për Indeksonline.
Ndryshe, në rasti “Pronto” janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish Sekretar të përgjithshëm Ilhami Gashi dhe Xh.D., ish zëvendësministër Fatmir Shurdha, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë I.N., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike Hidro-Drini” në Pejë R.A., ish kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu dhe ish shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë Arbenita Pajaziti.
Të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.












