Drejtori i “Mehmet Akif”: Ndaj të dëbuarve u përdor elektroshoku, iu lidhën këmbë e duar

6 shtetas turq, që punonin në institucionet gyleniste arsimore në Kosovë, u arrestuan dhe dëbuan nga autoritetet kosovare para një jave. Siç është kuptuar deri tani, dëbimi i tyre është kryer në bashkëpunim ndërmjet inteligjencës kosovare dhe asaj turke, me kërkesën e presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan. Në një intervistë për Periskopin, lidhur me ngjarjen, […]
Në një intervistë për Periskopin, lidhur me ngjarjen, drejtori i kolegjit “Mehmet Akif”, Nazmi Ulus, për Periskopin ka folur edhe për trajtimin e të dëbuarve nga ana e autoriteteve turke. Ai, për portalin, ka treguar se ka informacione të cilat thonë se ndaj tyre është përdorur edhe elektroshoku.
Ulus, tha se bashkëpunëtorët e tij janë trajtuar sikurse të ishin kriminelë që kanë kryer sulme terroriste, duke u dërguar në Turqi me duar dhe këmbë të lidhura, si dhe me koka të mbuluara.
“Sipas asaj që na kanë thënë avokatët e tyre, kur u janë dorëzuar shërbimit inteligjent të Turqisë këtu, gjatë fluturimit për në Turqi i kishin duart e lidhura, po ashtu edhe këmbët, ndërsa kokat i kishin të mbuluara. Kjo është një procedurë normale për kriminelët që konsiderohen terroristë nga regjimi i Erdoganit. Një nga avokatët e tyre na ka treguar se ndaj tyre është përdorur elektroshoku. Pasi që kanë arritur në aeroportin ndërkombëtar “Sabiha Gökçen” në Turqi, sipas informacioneve që kemi, janë me shëndet të mirë deri tani, por gjatë udhëtimit drejt Turqisë, mund të themi se nuk ishte udhëtim i lehtë për ta”, tha për Periskopin drejtori Ulus.












