Politikani çek: Kemi gabuar kur e njohëm pavarësinë e Kosovës në vitin 2008

Qeveria çeke dhe shtetet tjera të BE-së kanë gabuar kur në vitin 2008 e njohën pavarësinë e shpallur njëanshëm të Kosovës, ka deklaruar sot deputeti në Parlamentin e Çekisë Jaroslav Foldyna, raportojnë mediat serbe. Politikani çek, i cili e ka nënën serbe, po qëndron për vizitë zyrtare në Beograd, në krye të një delegacioni, ndërsa […]
Qeveria çeke dhe shtetet tjera të BE-së kanë gabuar kur në vitin 2008 e njohën pavarësinë e shpallur njëanshëm të Kosovës, ka deklaruar sot deputeti në Parlamentin e Çekisë Jaroslav Foldyna, raportojnë mediat serbe.
Politikani çek, i cili e ka nënën serbe, po qëndron për vizitë zyrtare në Beograd, në krye të një delegacioni, ndërsa deklaratën e bëri pas takimit me shefin e diplomacisë dhe zëvendëskryeministrin serb Ivica Daçiq.
Sipas Foldyna, në vitin 2008 është shkelur drejtësia ndërkombëtare kur shumica e anëtarëve të Bashkimit Evropian e njohën pavarësinë e Kosovës.
Ai ka shtuar se shpreson që Çekia ta hapë këtë çështje si moderatore në rrugën e Serbisë drejt BE-së, “në vitin kur shënohet edhe 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Çekosllovakisë dhe Serbisë, respektivisht Jugosllavisë”.
Foldyna, i cili gazetarëve në Beograd iu drejtua në gjuhën serbe, ka deklaruar se Çekia e ka përjetuar të njëjtën gjë sikurse Serbia, kur në shekullin e kaluar ka humbur 15 për qind të territorit, që i është dhënë Gjermanisë, shkruan express.
“Shkelja e kësaj të drejte ndërkombëtare solli deri te lufta botërore”, ka porositur deputeti me origjinë serbe nga Partia Socialdemokrate e Çekisë, e cila në zgjedhjet parlamentare të para katër muajve fitoi vetëm 15 vende, apo madje 35 më pak se në zgjedhjet e vitit 2013.












