PDK-ja thotë se është konsistente për demarkacionin, por ka dyshime në LDK-në

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi shpreson se nesër do të përfundojë pozitivisht çështja e demarkacionit. Krasniqi, ka thënë se partia e tij po mban qëndrimin konsistent sa i përket çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, por ka theksuar se ka mbetur i habitur me qëndrimin e LDK-së, raporton […]
Krasniqi, ka thënë se partia e tij po mban qëndrimin konsistent sa i përket çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, por ka theksuar se ka mbetur i habitur me qëndrimin e LDK-së, raporton Periskopi.
“Kemi konfirmuar qëndrimin konsistent të PDK-së sa i përket demarkacionit për kufirin me Malin e Zi. Ne në mënyrë unanime do ta votojmë projektligjin për demarkacion. Shpresojmë që nesër do të votohet dhe t’i hapim rrugë procesit të liberalizimit të vizave, proces që padrejtësisht është vonuar për këto vite”, ka thënë Krasniqi.
Deklaratën e përbashkët mes presidentit të Kosovës dhe atij malazez, Krasniqi e sheh vetëm si “vlerë të shtuar” që pajton kundërshtarët e kësaj çështjeje.
“Ne besojmë që deklaratat e dy presidentëve, me të vërtetë ka qenë vlerë e shtuar që i ka kontribuar këtij konsensusi më të gjerë”, tha Krasniqi.
Më tutje, ai tha se shqetësuese mbetet qëndrimi i LDK-së, i mbajtur sot në Komisionin për Punë të Jashtme për këtë çështje.
“Shqetësuese për momentin mbetet qëndrimi i LDK-së, në komisionin për Punë të Jashtme ku do duhej të votohej dhe miratohej Projektligji. S’e dimë nëse ky është ndryshim qëndrimi, apo vetëm një votim taktik politik. Shpresojmë që ato të jenë konsistent, sepse interesat e qytetarëve janë më të rëndësishme se sa akrobacionet politike të secilës parti”, tha Krasniqi, raporton Periskopi.
I pyetur nga mediat se a e përkrah Lista Serbe ratifikimin e demarkacionit, Krasniqi ka refuzuar të përgjigjet duke thënë se pyetja duhet të bëhet për arsyet që shqiptarët nuk e votojnë këtë marrëveshje.
“Dëshira ime do të ishte që ky projektligj të votohet me vota të shqiptarëve. Pyyetja do të duhej të ishte pse nuk po e votojnë shqiptarët. Shpresoj që ne do të gjejmë gjuhë të përbashkët edhe për këtë çështje dhe besoj se janë pjekur kushtet për ta hedhur në votim projektligjin në fjalë”, tha Krasniqi. /Periskopi/












