Pas ndërkombëtarëve, Edi Ramës i kundërvihet edhe Haradinaj: Nuk mund të na mbajë leksione

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për leksione nga askush, duke komentuar fjalimin e Edi Ramës në Kuvendin e Kosovës me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë. Kreu i Qeverisë së Kosovës i bëri komentet gjatë qëndrimit në qytetin e Mitrovicës, ku po shënohet përvjetori i grevës së minatorëve. “I […]
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për leksione nga askush, duke komentuar fjalimin e Edi Ramës në Kuvendin e Kosovës me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë.
Kreu i Qeverisë së Kosovës i bëri komentet gjatë qëndrimit në qytetin e Mitrovicës, ku po shënohet përvjetori i grevës së minatorëve.
“I kam thënë Edi Ramës se mund t’i shesim mend njëri-tjetrit sa të duam. Edi Rama e ndihmon Kosovën vetëm duke e zhvilluar Shqipërinë”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se nuk ka qëllim për të hyrë në debate të panevojshme, “sepse jemi vëllezër”.
“Por, duhet ta kuptojnë që Kosova ka njerëz, nuk munden me ardhë me mbajt leksione. E dojmë popullin tonë. Por është me rëndësi me kry punët tona”, u shpreh Haradinaj, raporton EO.
Reagimi i Haradinajt ndaj propozimit të kryeministrit shqiptar, vjen pas një vargu reagimesh të komunitetit ndërkombëtar, i cili deklaratat e Ramës i cilësoi si të papranueshme dhe si cenim të pavarësisë së shtetit fqinjë.
Ndaj Edi Ramës ka reaguar edhe LDK-ja përmes Avdullah Hotit, duke e konsideruar mosrespekt fjalimin e Ramës në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë.
Edi Rama kishte propozuar që Kosova dhe Shqipëria të kenë një president të përbashkët, duke sugjeruar kështu hapa drejt bashkimit kombëtar./Periskopi/
