Në Hade vazhdon ndërtimi i shtëpive, Haradinaj i shqetësuar: Do t’ua rrënojmë dhe s’do të paguheni

Vitin e kaluar Qeveria e Kosovës kishte arritur marrëveshje me banorët e fshatrave Shipitullë dhe Hade të komunës së Obiliqit lidhur me çështjen e shpronësimit të pronave të tyre, për zgjerimin e minierës së thëngjillit për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), por përkundër kësaj marrëveshjeje, ndërtimet e shtëpive në fshatin Hade po vazhdojnë […]
Haradinaj ka prezantuar para ministrive përkatëse edhe fotografi që i ka siguruar nga inspektorët të cilët kanë fotografuar ndërtimin e shtëpive të reja, pronarët e të cilëve qëllim kanë përfitimin material nga kompensimi i pasurive, raporton Periskopi.
Haradinaj, duke u bërë thirrje banorëve që të mos ndërtojnë më, ka thënë se më “nuk do të paguhet askush për këto shtëpi” dhe se atyre do t’u kërkohet edhe mbulimi i shpenzimeve për rrënimin e objekteve.
“Shtëpitë po ndërtohet në zonën që parashihet për minierën e re. Ju e dini në shpronësimin e mëhershëm se çfarë peripecish kemi kalu dhe sa vështirë ishte, dhe sa shpenzimet iu bënë vendit. Në tre drejtime të zonës për ndërtimin e minierës së re, përfshi brendinë e fshatit Hade, kanë fillu ndërtimet, pra ndërtime të shpejta me qëllimin që kur të ndodh shpronësimi të kompensohen. Duhet ta kuptojnë banorët që ka kufi gjithçka. Është e palejueshme me ia bë këtë Kosovës, në këto kohëra të krizave. Është fat i madh ajo që ka ndodh me energji, vërtet tash kapacitetet janë të plota, po punohet, po prodhohet, po i rrisim rrogat e punëtorëve edhe pse jo lehtë. Kjo tendenca me maru shpija në këtë mënyrë pirate kështu… duhet ta kuptojnë të gjithë, duhet me ua rrëzu këto shpija, me eskavator, me polici, me krejt edhe mundësisht me u kërku dëmshpërblim për shpenzimet e rrëzimit, se e dinë shumë mirë që janë zona të ndërtume për minierë”, tha Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë.
Kryeministri ka kërkuar nga Ministria e Rendit dhe ajo e Planifikimit Hapësinor që të ndërmarrin veprime dhe të rrënojnë menjëherë këto shtëpi. Ai tha se gjendja është shqetësuese dhe për këtë kërkoi të themelohet një task forcë.
“Kërkoj që të ndërtohet një task forcë, prej dy tre ministrive, n’këtë rast ajo e Rendit, e Planifikimit Hapësinor, nëse është edhe ndonjë tjetër ciladoqoftë, edhe komuna, por të rrëzohen këto shtëpi që tani dhe të çohet një porosi që të mos ndërtohen tjera se nuk do të paguhen. Përkundrazi, është mirë me ligj me i çu fakturë për shpenzimet e rrëzimit. Kjo është vepër që s’mundem me e pranu”, tha Haradinaj. /Periskopi/












