Kurti: Serbë e malazezë nuk ka patur kurrë në Çakorr, përveç atyre me uniformë – por janë shporrur

Një ditë para seancës së jashtëzakonshme për miratimin e demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka shprehur edhe një herë kundërshtimin ndaj ratifikimit të kësaj marrëveshjeje. Kurti, përmes faqes së tij në Facebook, ka theksuar partia e tij nuk mund të mbështetë një marrëveshje që Kosovës […]
Një ditë para seancës së jashtëzakonshme për miratimin e demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka shprehur edhe një herë kundërshtimin ndaj ratifikimit të kësaj marrëveshjeje.
Kurti, përmes faqes së tij në Facebook, ka theksuar partia e tij nuk mund të mbështetë një marrëveshje që Kosovës i humb 8200 hektarë tokë, shkruan Periskopi.
Shkrimi i plotë i Kurtit:
8200 hektarët nuk janë as tokë e Rusisë, as e BE-së. 8200 hektarët janë në skajin perëndimor të Kosovës së orientuar kah perëndimi, te BE-ja dhe NATO-ja. 8200 hektarët nuk janë kurrfarë udhëkryqi gjeopolitik lindje-perëndim.
8200 hektarët nuk janë as çiflig e pronë e pushtetarëve të korruptuar që duan ta japin si ryshfet për të garantuar vazhdimin e pushtetit. Ajo tokë ka qenë gjithnjë e Kosovës, e shqiptarëve, dhe kjo është dëshmuar gjerësisht me dokumentacion vendor e ndërkombëtar. Serbë dhe malazezë aty nuk ka patur kurrë, përveçse me uniformë, por edhe ata janë shporrur.
Kjo tokë synohet të jepet si çmim i paguar për lënien rehat të të korruptuarve e tradhtarëve. Nuk është çmimi i parë që ata paguajnë për të mbetur në pushtet, nuk është as çmimi i fundit. Atyre nuk u dhimbsen këto çmime, sepse paguajnë me nderin, gjakun, pasurinë e popullit, e jo me të tyren. Në fakt, sa më shumë e zvogëlojnë Kosovën, aq më shumë u rritet pasuria e pushteti.
Vendet mike të Kosovës nuk duhet të sillen në mënyrë cinike, duke pranuar ryshfetin e pushtetarëve tanë kriminelë. Qytetarët e Kosovës e meritojnë të drejtën për të udhëtuar lirshëm, pa viza, pa patur pse të durojnë këtë dhunë e poshtërsi.
Tokën nuk e japim. Ne nuk kemi hesap të vazhdojmë me këta pushtetarë.












