Deputetja e LDK’së: Luaj Kadri, luaj!

Deputetja e LDK-së, Doruntinë Maloku, ka thënë se kreu i PDK-së, Kadri Veseli e pranoi se ka luajtur me qytetarët e Kosovës, duke marrë shkas nga deklaratat e tij pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos që për demarkacionin të thirret seancë të dielën e 18 shkurtit. “Kadri Veseli sonte paska thënë se […]
“Kadri Veseli sonte paska thënë se paskan vendosur që t’i përfundojnë lojërat politike dhe lojërat me emocione të qytetarëve për t’i hapur rrugë integrimit në Bashkimin Evropian. Luaj Kadri, luaj! Pasi që po e pranon, se deri tash keni luajtur me qytetarë për interesa të juaja politike, koha ka ardhur që të shkoni atje ku e keni vendin. Shoqëria kosovare duhet ta margjinalizojë mendësinë tuaj, me votë!”, ka shkruar Maloku.
Ajo, përmes profilit të saj në Facebook, i ka thënë Veselit se “në 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ju duhet të hapni rrugë për zgjedhje të reja. Ky vend nuk meriton të udhëhiqet nga ju sepse kauzat tuaja kanë lidhje veç me përpjekjen dëshpëruese për rrëzimin e LDK-së”.
“Pra, qytetarët duhet ta dinë se kur është në pyetje LDK-ja, këta bëhen të gjithë bashkë kundër saj dhe pasojat që mund të kenë kauzat e tyre të rrejshme për qytetarët as nuk u interesojnë. Dua të besoj që qytetarët tanë sot u bindën që veç Lidhja Demokratike e Kosovës i del zot këtij vendi”, ka shprehur bindjen ajo.
Deputetja ka thënë gjithashtu se “Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, të dielën, na e sjellin për votim ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi që ishte bazuar në raportin e Komisionit të Murat Mehës, pa ia hequr asnjë pikë e as një presje”.












