Deputetja e LDK’së ‘godet’ koalicionin qeverisës: Nëse nuk i keni votat për Demarkacion, gjeni tjetër justifikim

Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe njëherit deputete e LDK’së, Doruntinë Maloku, ka reaguar pas akuzave që u ka bërë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës se kanë ndryshuar marrëveshjen për Projektligjin për demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Maloku në një status në Facebook ka thënë se nuk është ndryshuar asnjë pikë […]
Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe njëherit deputete e LDK’së, Doruntinë Maloku, ka reaguar pas akuzave që u ka bërë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës se kanë ndryshuar marrëveshjen për Projektligjin për demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Maloku në një status në Facebook ka thënë se nuk është ndryshuar asnjë pikë nga teksti i kësaj marrëveshje. Ajo madje thotë se nëse koalicioni qeverisës nuk po arrin t’i mbledhë votat për Demarkacionin, le të përpiqet të gjejë një justifikim tjetër.
Ky është reagimi i plotë i Malokut:
Si anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme, e konfirmoj se Amendamenti i propozuar ne seancë nga Shefi i GP LDK, Avdullah Hoti, është 100% i njëjtë me atë që është votuar sot ne mbledhje të Komisionit, dhe pa asnjē kundërshti nga përfaqësuesja e AAK-së, Time Kadriaj, e as nga deputetët e tjerë që përfaqësojnë partitë e koalicionit qeverisës.
Teksti i Amendamentit është identik me tekstin e marrëveshjes së dakorduar ndërmjet LDK-së dhe partive të koalicionit qeverisës fundjavën që e lamë pas.
Atyre që u intereson ta konfirmojnë këtë, mund ta shikojnë deklarimin e z. Hoti sot në seancë, për të cilin nuk pati asnjë kundërshtim, i cili e lexoi Nenin 3 fjalë për fjalë, si dhe deklarimin e znj. Osmani në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme!
Nëse koalicioni qeverisës nuk po arrin t’i mbledhë votat për Demarkacionin, le të përpiqet të gjejë një justifikim tjetër!
Se kjo e sontmja nuk pi ujë!
P.S.
Për dëshmi, në linkun e mëposhtëm, ne minutin 55.10, mund të ndiqni deklaratën e shefit të GP LDK, Avdullah Hoti, në seancën e sotme!
Në foto, ndërkaq, e keni tekstin e marrëveshjes për Nenin 3 të Projektligjit të Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, i cili u votua sot ne Komisionin për Punë të Jashtme (Foto 2)














