Demarkacionit i renditet edhe një dështim në Kuvendin e Kosovës

I pasigurt se e enjtja do të sillte rezultate ishte shfaqur një ditë më herët kreu i Kuvendit, Kadri Veseli. Ai kishte lënë të hapur mundësinë që seanca të mos përfundonte, por ajo në fakt as që arriti të fillonte, raporton KTV. Personalisht ai as që u duk në sallën plenare, e angazhimin e bëri […]
Ai kishte lënë të hapur mundësinë që seanca të mos përfundonte, por ajo në fakt as që arriti të fillonte, raporton KTV.
Personalisht ai as që u duk në sallën plenare, e angazhimin e bëri nga zyra e tij, ku priti e përcolli ambasadorë, zyrtarë institucionalë e përfaqësues partish në tentim për të gjetur zgjidhje.
Në sallë plenare erdhën deputetët, por të paktë në numër.
Vetëvendosje kishte marrë me vete edhe dosjet me nënshkrimet e mbi 200 mijë qytetarëve nga peticioni i shtatorit të 2015-ës, në kohën sa ishin opozitë e bashkuar me AAK-në dhe Nismën.
Numri i deputetëve vazhdonte të rritej në bufenë e Kuvendit e i paktë në sallë plenare.
Lëvizjet e kryeministrit u shpeshtuan, herë në takime e herë në sallë me deputetë.
Aty Lista Serbe nuk u duk fare e qëndrimin e bën të ditur me komunikatë se nuk do të votojnë për demarkacionin.
Por, tash për partitë në pushtet nuk ishte më problem veç Lista Serbe.
Problemi më i madh u doli me LDK-në.
Kjo parti insistonte se raporti i komisionit të ri, në krye me Bulliqin, nuk duhet të votohet në Kuvend, por kjo nuk pranohej nga Ramush Haradinaj.
Në komunikim me KTV-në, dy nga zyrtarë të lartë institucionalë kanë thënë se sikur të hiqet raporti i komisionit të ri atëherë nuk do të jenë as votat e disa deputetëve të koalicionit.
E në anën tjetër, deputetë të LDK-së kanë treguar për presionin e vazhdueshëm që u është bërë nga ambasadorët, duke kërkuar me çdo kusht që LDK-ja ta votojë këtë marrëveshje.
KTV-ja merr vesh se ky qëndrim i LDK-së erdhi pasi atë e kërkoi lideri Isa Mustafa nga Gjermania.
Por, takimet te zyra e kryetarit Veseli vazhdonin. Aty bashkë me kryeparlamentarin dhe kryeministrin ishin edhe Avdullah Hoti e Ismet Beqiri të LDK-së dhe Fatmir Limaj i Nismës. Por kur dolën nga aty nuk folën asgjë para gazetarëve.
Kryeministri u kthye te deputetët e për t’i shkuar edhe njëherë në zyrë Veselit iu desh ndihma e këshilltarit të këtij të fundit.
Pas kësaj, kryeministri kthehet në sallë për të marrë letrat e tij dhe përshëndetet me deputetët, derisa i fundit që hyn në sallë ishte Kadri Veseli, që mbajti një fjalim të shkurtër para pak deputetëve. Tha se seanca shtyhet për të premten në orën 10:00.
Seanca pritet të mbahet të premten e kryeparlamentari ka thënë se kjo duhet të përfundojë para të mërkurës, derisa ky afat lidhet me vizitën e paralajmëruar të presidentit të Komisionit Evropian, Junker, më 28 të këtij muaji në Prishtinë.












