Yll Rugova jep dorëheqje edhe formalisht nga drejtori i Kulturës në Prishtinë

Yll Rugova ka bërë publike lajmin për dorëheqjen e ti formale nga posti I drejtorit të Kulturës në Komunën e Prishtinës. Në një sqarim në profilin e tij në Facebook, Rugova ka thënë se e ka parë të arsyeshme të sqarojë publikisht dorëheqjen e tij tashmë edhe formale. “Këto ditë edhe formalisht kam dhënë dorëheqjen […]
Yll Rugova ka bërë publike lajmin për dorëheqjen e ti formale nga posti I drejtorit të Kulturës në Komunën e Prishtinës.
Në një sqarim në profilin e tij në Facebook, Rugova ka thënë se e ka parë të arsyeshme të sqarojë publikisht dorëheqjen e tij tashmë edhe formale.
“Këto ditë edhe formalisht kam dhënë dorëheqjen nga detyra e drejtorit të kulturës, për arsyet që i kam bërë publike tashmë. Më duhet të them edhe njëherë se dorëheqja ime nuk është assesi heqje dorë nga projektet e rëndësishme kulturore, e shoqërore që janë nisur, e as nga projektet e rëndësishme programore që janë proklamuar bashkërisht, por është heqje dorë nga qeverisja e zbehtë e Prishtinës që e ka shkëputur tash edhe bashkëpunimin me Vetëvendosjen. Do të fokusohem në rolin tim brenda Lëvizjes Vetëvendosje për ta mbrojtur vizionin qeverisës për Prishtinën dhe për ta bërë gati programin e ri për të ardhmen”, ka shkruar ai.

Pakënaqësitë e tij, Rugova, i kishte shprehur me kryetarin e Komunës Shpend Ahmeti.
Rugova kishte thënë se Ahmeti në mënyrë selektive për shkak të bindjeve partiake po shkarkon drejtorët. Mirëpo Shpend Ahmeti kishte thënë se Prishtina është shumë më e madhe se çdo ego e inat politik, dhe se nuk mund të sakrifikohet kryeqyteti për çështje personale.
Gjatë vizitës që i ka bërë sot Pallatit të Rinisë, Ahmeti tha se nuk do të ketë koalicion
“Situata në relacion me Lëvizjen Vetëvendosje është bërë e paqëndrueshme. Ka 5 muaj që i kam dërguar ofertë zyrtare me numrin më të madh të drejtorive komunale. Përveç që nuk kanë dhënë përgjigje, ata kanë vazhduar me sulme të përditshme të aktivistëve, por dhe komunikata zyrtare. Të njëjtën kohë nuk e kanë votuar asnjë propozim të cilin e kam dërguar, përkundrazi, kanë bërë edhe shumë gjëra të tjera. Nuk mundem të sakrifikojmë Prishtinën për shkak të inateve e egove personale”, pati deklaruar Ahmeti.
Ndërsa, për drejtorin e Kulturës në Prishtinë, Yll Rugova, Ahmeti ka thënë të mos jetë në dijeni se ai nuk po dilte në punë për disa ditë.












