Thaçi: Nuk kemi kohë për të humbur, të bëhemi të zgjuar dhe t’i kryejmë punët me Serbinë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka bërë thirrje për bashkim të politikanëve kosovarë për të shfrytëzuar rastin e dhënë, siç thotë ai, për të arritur marrëveshje me Serbinë. Në një opinion të publikuar, Thaçi thekson se nuk ka moment më të mirë se tani për të arritur paqen e qëndrueshme. “Një moment i tillë përcaktues […]
Në një opinion të publikuar, Thaçi thekson se nuk ka moment më të mirë se tani për të arritur paqen e qëndrueshme.
“Një moment i tillë përcaktues apo vendimtar yni, i cili duhet të ndodhë në të ardhmen e afërt, ndërlidhet me marrëveshjen përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Mendoj se nuk ka moment më të mirë se tani për të arritur paqen e qëndrueshme dhe përfundimtare. Rrethanat politike në Kosovë dhe Serbi mundësojnë një marrëveshje të tillë”, thekson ai, shkruan Periskopi.
Sipas tij, në favor të kësaj marrëveshjeje janë edhe SHBA-ja dhe BE-ja.
“Ndërkaq, në favor të shfrytëzimit të plotë të kësaj mundësie historike janë SHBA-ja dhe BE-ja. Nuk kemi kohë për të humbur tani, por me zgjuarsi dhe të bashkuar duhet të vendosim për të mbyllur konfliktin shekullor me Serbinë dhe për ta hapur atë të paqes. Historia, koha dhe gjeneratat e ardhshme do të na gjykojnë për veprimin e duhur apo humbjen e mundësisë. Unë dua që të mbahemi në mend për të parën”, ka shkruar ai. /Periskopi/












