Shëndetësia drejt kaosit

Kërkesa e mjekëve për rritjen e pagave përmes miratimit të Projektligjit të ri për pagat, po vazhdon. Kjo kërkesë e kamotshme për rritje pagash nuk po mund të realizohet nga asnjë qeveri, ndonëse profesionistët shëndetësorë thonë se në vazhdimësi kanë marrë premtime. Si rrjedhojë, ditën e mërkurë, është mbajtur greva e radhës e punonjësve shëndetësorë, […]
Kërkesa e mjekëve për rritjen e pagave përmes miratimit të Projektligjit të ri për pagat, po vazhdon. Kjo kërkesë e kamotshme për rritje pagash nuk po mund të realizohet nga asnjë qeveri, ndonëse profesionistët shëndetësorë thonë se në vazhdimësi kanë marrë premtime.
Si rrjedhojë, ditën e mërkurë, është mbajtur greva e radhës e punonjësve shëndetësorë, që ishte paraparë të zgjasë një ditë. Këshilli Drejtues i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, ka vendosur që greva 24 orëshe të shndërrohet në grevë 72 orëshe.
Sipas një njoftimi për media të kësaj sindikate, deri te ky vendim është arritur, pas siç thuhet, institucionet “nuk reflektuan” ndaj kërkesave të tyre, duke shtuar se pas festave të fundvitit, greva “do të vazhdohet pa limit kohor, deri në reflektimin e qeverisjes vendore ndaj kërkesave të punonjësve shëndetësorë”.
Megjithëkëtë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër terciare referente për tërë Kosovën, shërbimet emergjente për pacientë janë ofruar. Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i këtij institucioni. Shpend Fazliu, sipas të cilit, asnjë njeriu nuk i është rrezikuar jeta, ndonëse i gjithë sistemi shëndetësorë ka qenë në grevë.
“Federata Sindikale e Shëndetësisë me kohë ka lajmëruar se ka organizuar grevë të përgjithshme, dhe janë mbuluar gjitha shërbimet emergjente, kurse pacientët ambulatorë nuk është punuar, pra është respektuar greva. Por, duhet cekur se nuk ka pasur ndonjë rast që iu ka përkeqësuar gjendja shëndetësore për shkak të grevës. Ndërkaq sa i përket operacioneve, ato janë kryer vetëm në Klinikën Emergjente, derisa të tjerat janë shtyrë për shkak të grevës”, tha Fazliu.












