Qeveria thotë se nuk bindet nga barrikadimi i deputetëve serbë për heqje të taksës

E hëna pritet t’i zbardhë në Kuvend deputetët e Listës Serbe. Këtë qëndrim e kanë shprehur, pasi gjatë së dielës, kanë hyrë në Kuvend dhe do të qëndrojnë deri në mëngjesin e së hënës, në tentim që të takohen me komisionarin e BE-së, Johannes Hahn, raporton KTV. Në zyrën e grupit parlamentar të kësaj partie, […]
E hëna pritet t’i zbardhë në Kuvend deputetët e Listës Serbe. Këtë qëndrim e kanë shprehur, pasi gjatë së dielës, kanë hyrë në Kuvend dhe do të qëndrojnë deri në mëngjesin e së hënës, në tentim që të takohen me komisionarin e BE-së, Johannes Hahn, raporton KTV.
Në zyrën e grupit parlamentar të kësaj partie, deputetët serbë kanë vendosur baner në anglisht, ku shkruan “100% taksa – 0 % liri”, si kundërshtim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën ndaj produkteve serbe.
Në një konferencë për media, shefi i deputetëve serbë, Sasha Millosavljeviq, pretendon se gjendja është e rëndë, duke thënë se atyre u mungon qumështi, uji dhe ushqimi.
“Shprehim shqetësimin tonë të madh për vendosjen e taksës 100 për mallrat të cilat vijnë nga Serbia. Nëse kjo taksë nuk hiqet në një kohë të shkurtër, do të kemi probleme të mëdha, jo vetëm serbët në Kosovë, përfaqësues të të cilit jemi ne, por edhe krejt qytetarët e Kosovës, sepse do të ketë mungesë të qumështit, ujit dhe ushqimit. Ne nuk dëshirojmë që të vijë deri te kjo, prandaj në mënyrë paqësore dhe demokratike, në takimin me komisionarin Johannes Hahn, do ta njoftojmë me këtë problem të madh”, ka thënë Millosavljeviq.
Ndërkaq, deputeti tjetër, Igor Simiq, ka thënë se komisionarin Hahn do ta njoftojnë për krizën humanitare me të cilën po ballafaqohet populli serb i Kosovës, nëse nuk hiqet urgjentisht taksa.
Përkundër këtyre insistimeve të Listës Serbe, Qeveria e Kosovës ka rikonfirmuar se nuk do të zmbrapset nga vendimi për taksën 100 përqind ndaj produkteve serbe.
Në një përgjigje për KTV-në, Zyra e Kryeministrit thekson se taksa nuk është vendosur kundër serbëve të Kosovës.
“Kryeministri Haradinaj i ka dhënë arsyet se pse është vendosur taksa dhe kur mund të hiqet ajo. Nga ana tjetër, është fakt i patjetërsueshëm që kjo taksë nuk prek dhe nuk është kundër asnjë komuniteti që jeton në Kosovë. Për më tepër, në listat e institucioneve që përjashtohen nga dogana, tregohet qartë që komunitetet nuk preken në asnjë formë nga taksa dhe këtë e dinë edhe përfaqësuesit politikë të serbëve në vend”.
Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka thënë se pret nga Perëndimi që ta bindë Prishtinën që sa më parë ta kthejë prapa vendimin për taksën ndaj Serbisë.












