Për një Vit të Ri pa këta vjedhësit lart

Për një Vit të Ri pa këta vjedhësit lart

Në kohë festash zemrat zbuten e shumëkush ndihmon sa mundet ata më skamnorët, lypësit, të pastrehët e të braktisurit. Në këtë shtet ku koncepti i shërbimit social konsiderohet si lëmoshë, dinjiteti i më të varfërve shpesh nëpërkëmbet nga luksi i shfrenuar i më të pasurve e kjo na bën neve të tjerëve të ndihemi keq […]

Por varfëria nuk është vetëm e ekstremeve të rënda, e humnerave të thella. Ekziston edhe një varfëri e madhe e përhimët, e cila mbush rrugët e qyteteve e të fshatrave të Kosovës. Është varfëria e shumicës.

Aty bën pjesë nëna, e cila nuk mbërrin të çmallet me fëmijët e saj pasi i duhet të punojë pesëmbëdhjetë orë në ditë, pa pushim në fundjavë dhe pa sigurime sociale. Bën pjesë babai, i cili punon pa kontratë në ndërtim, nën rrezikun e vdekjes e prapë në fund të muajit nuk i dalin paratë. Bën pjesë vajza, e cila lutet ta punësojë dikush si shitëse ose si kamariere që të përballojë studimet e saj, edhe pse është nxënëse e mirë. Bën pjesë djali i papunë, i refuzuar disa herë në intervista pune, ku janë punësuar të tjerë, gjithmonë me të njofshëm. Bën pjesë ai që po pret ditën të shkojë edhe një herë të provojë fatin në mërgim.

Bën pjesë ajo që nuk guxon të mendojë për fëmijë, sepse me rrogën që ka nuk ia del dot. Bëjnë pjesë të rinjtë, që nuk kanë mundësi as ta ëndërrojnë një shtëpi a banesë të veten që të krijojnë familje, sepse çmimet janë shumë të shtrenjta, kamatat e bankave shumë të larta e rrogat shumë të ulëta.

Të sëmurët, që duhet të bëjnë thirrje në rrjete sociale për të mbledhur para për t’u shëruar diku jashtë vendit, sepse shëndetësia në Kosovë është më e rrënuar se asnjëherë më parë. Prindërit që shqetësohen për nivelin e dobët të shkollave, i cili po gjymton të ardhmen e fëmijëve e të kombit.

Kjo varfëri e madhe dhe e përhimët nuk na bie në sy në raste festash, sepse ajo është aty përditë, jemi mësuar me të dhe ajo nuk thërret për lëmoshë e për ndihmë, por shtrëngon dhëmbët për të ruajtur moralin e dinjitetin e vet. Kjo është varfëria e komshinjve tanë, e kushërinjve, e familjarëve, e shokëve e shoqeve të dikurshëm e të tashëm, është varfëria e shumicës, prandaj nuk bie në sy.

Kjo varfëri nuk është mallkim, as rezultat i gjeneve tona e i biologjisë e as i kulturës së shoqërisë a traditës së popullit. Kjo varfëri rrjedh nga dy burime: së pari, nga vjedhja e shtetit dhe e shoqërisë prej pushtetarëve lakmitarë, mujsharë e të pangopshëm; së dyti, nga shkatërrimi e mjerimi i trashëguar prej Serbisë së dikurshme e i shkaktuar prej Serbisë së sotme.

Ka ilaç për këtë varfëri: ardhja në pushtet e atyre që janë si shumica e që nuk duan të shkëputen prej saj. E atyre që nuk e shohin politikën si mundësi për të pasuruar veten, por shumicën së pari e bashkë me të edhe veten. E atyre që nuk duan të vjedhin dhe që dinë të zhvillojnë, me një program alternativ ku ndërthuret mbrojtja dhe nxitja e prodhimit vendor dhe e sipërmarrësve të vegjël e të mesëm, bashkimi i kapitalit shtetëror e atij privat për rigjallërimin e industrive dhe sektorëve strategjikë, si dhe bashkëpunimi i ngushtë e real me Shqipërinë, jo sa për sy e faqe.

Këtë ilaç për varfërinë tonë nuk mund ta presim nga shkaktarët e saj, pra nga vjedhësit e brendshëm e nga shovenët e Serbisë. Përkundrazi, ajo çka po shohim së fundmi është një aleancë e këtyre.

Takimet e vazhdueshme të Thaçit e të Vuçiqit siç duket nuk prodhuan vetëm skenarin e ndarjes së Kosovës, që e kundërshtuam masivisht në protestë në 29 shtator. Por paskan prodhuar edhe një taktikë për pushtet. Vuçiqi siç duket është i gatshëm të bëjë shumëçka me kusht që në krye të Kosovës e në krye të dialogut të mbetet Thaçi. Madje nuk është çudi që në kuadër të kësaj aleance të fshehtë Vuçiq – Thaçi presidenti i Serbisë të lejojë edhe një qeveri të Kosovës ku Listën Serbe do ta zëvendësonte ndonjë pseudoopozitë shqiptare me kusht që kështu të zgjatej qëndrimi i PDK-së në pushtet.

Fundja, për Vuçiqin nuk kushton asgjë të pësojë humbje formale për sa kohë që thelbi mbetet i njëjti. Ndërkohë që ai në sytë e gjithë botës luan viktimën, nga taksa 100% janë të përjashtuara edhe shumë produkte të tjera, të konsideruara si prodhim “kompanish të mëdha” e duket që edhe energjia elektrike eskivon taksën? Apo a nuk është premtimi për ushtrinë e Kosovës qesharak për sa kohë që pushtetarët vjedhës nuk lënë hapësirë për buxhet dinjitoz për ushtrinë, ndërkohë që Serbia buxhetit vjetor prej 500 milionë eurosh për ushtrinë e saj ia shtoi edhe 300 milionë për armatim të ri?

E në të njëjtën mënyrë asgjë nuk do të kushtonte për Vuçiqin një qeveri e Kosovës, e cila formalisht nuk e ka si pjesë Listën Serbe, por përmbajtësisht e zbaton pikë për pikë programin e saj.

Për të dalë prej varfërisë dhe për të hyrë në rrugë të zhvillimit shoqëror, ekonomik e shtetëror na duhet t’i japim fund aleancës mes vjedhësve të brendshëm e vjedhësve të jashtëm. Dënimi i pushtetarëve të korruptuar të Kosovës do të ndihmonte popullin e Kosovës që të dilte nga varfëria, por do të mundë të ndihmonte edhe popullin e Serbisë që të shpëtonte nga pushtetarët shovinistë pasardhës të Millosheviqit, të cilët po e mbajnë nën sundim.

Sepse po, po të vinte në pushtet një subjekt i ndershëm e progresist në Kosovë, po të dënoheshin keqbërësit këtu, atëherë njerëz të mirë do të vinin në shprehje edhe në partitë e tjera të Kosovës, por edhe në Serbi. E keqja e ndihmon dhe e shumon të keqen. E mira e ndërpret atë. Le të shkojmë drejt së mirës, le të bëhemi e mira.

Qoftë 2019-a viti i gjithë të mirave për ju e për të dashurit tuaj

Të ngjashme
"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?