Mjerimi i varrezave të Prishtinës

Bari dhe shkurret kanë mbuluar varrezat e qytetit të Prishtinës. Përveç kësaj, varret thuajse janë të ngjitura njëra me tjetrën, ku për vizitorët është e pamundur të lëvizin pa shkelur mbi ndonjë varr. Për mos mirëmbajtjen e varrezave të qytetit ankesa të shumta kanë qytetarët, por një kritikë të tillë e ka edhe Avokati i […]
Për mos mirëmbajtjen e varrezave të qytetit ankesa të shumta kanë qytetarët, por një kritikë të tillë e ka edhe Avokati i Popullit, sipas të cilit gjendja e varrezave në kryeqytet është dëshpëruese.
Mirëmbajtja e varrezave sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale u takon komunave, e kritikat për gjendjen e varrezave në kryeqytet i pranon edhe i pari i kësaj komune Shpend Ahmeti. Ai thotë se në vitin 2019 do ta bëjnë një plan më konkret për investime apo riorganizim të varrezave të qytetit.
Qytetari Idriz Islami, i cili jeton në afërsi të varrezave të qytetit, thotë se ato nuk po mirëmbahen siç duhet.
Ai ka kritika edhe sa i përket hapësirës nga një varr tek varri tjetër, i cili thotë se kur merr pjesë në ceremoni varrimi është e pamundur të lëvizësh në varreza pa shkelur në varre.
Të njëjtën kritikë e ka edhe Izet Saraqi, i cili thotë se edhe pastërtia nuk është në nivelin e duhur.
Edhe Ismet Saraqi, është shprehur se varrezat në Prishtinë nuk po mirëmbahen ashtu siç do të duhej.
Megjithatë, ka të tjerë që mendojnë ndryshe. Për qytetarin Zymer Rushiti, gjendja e varrezave është shumë e mirë.
Kritika të shumta për gjendjen e varrezave në kryeqytet ka edhe avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i cili thotë se gjendja e varrezave nuk është e mirë.
Lidhur me këtë temë, ditë më parë Institucioni i Avokatit të Popullit ka nxjerrë edhe një raport me rekomandime, ku jepen kritika të shumta.
Sipas avokatit Jashari, mirëmbajtja e varrezave tregon një respekt për të vdekurit dhe familjarët e tyre, të cilët për raste të ndryshme mund të shkojnë tek varret e familjarëve.
Sipas Jasharit, komuna e Prishtinës me shumë pak buxhet do të mund të rregullonte gjendjen e varrezave, e për këtë ai thotë se komuna e ka detyrë sipas ligjit.
Për mirëmbajtjen e varrezave në kryeqytet aktualisht kujdeset ndërmarrja “Hortikultura”, ku sipas drejtorit Isak Rakovica, mungesa e financimit shkakton telashet e veta në mirëmbajtjen e varrezave.
Ai thotë se në mënyrë që të ketë një mirëmbajtje më të mirë, do të duhej që kjo ndërmarrje të kishte financim.
Për të gjithë këto kritika, një përgjigje ka kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se janë duke punuar që në vitin 2019 të bëjnë një plan konkret rreth investimeve apo riorganizimit të varrezave.
Për këtë, ai thotë se duhet të ketë një diskutim me bashkësitë fetare në Kosovë.
I pari i Prishtinës, thotë se duhet të gjendet një mënyrë për organizimin e varrezave, pasi sipas tij nuk mund të vazhdohet me zgjerim të varrezave gjatë gjithë kohës.
Institucioni i Avokatit të Popullit, përveç Prishtinës, ka nxjerrë raporte me rekomandime thuajse për të gjitha komunat e Kosovës, që sipas raporteve gjendja e varrezave nuk është e mirë, shkruan KP.














