KQZ vazhdon vitin e dytë pa mandat

KQZ-ja vazhdon të mbetet pa mandat. Presidenti i Kosovës nuk i është përgjigjur KTV-së se si do ta procedojë çështjen e mandatit të KQZ-së, pasi Kushtetuesja pas 6 muajsh ia ktheu prapa kërkesën e tij për interpretim ligjor rreth ndarjes së hises brenda këtij institucioni, raporton KTV. Ndërkaq MAPL-ja ende nuk e konfirmon zyrtarisht dorëheqjen […]
KQZ-ja vazhdon të mbetet pa mandat. Presidenti i Kosovës nuk i është përgjigjur KTV-së se si do ta procedojë çështjen e mandatit të KQZ-së, pasi Kushtetuesja pas 6 muajsh ia ktheu prapa kërkesën e tij për interpretim ligjor rreth ndarjes së hises brenda këtij institucioni, raporton KTV.
Ndërkaq MAPL-ja ende nuk e konfirmon zyrtarisht dorëheqjen e 4 kryetarëve të komunave serbe në veri. KTV-ja ka kuptuar se 4 kryetarët në letër, shkruan se u dorëhoqën nga qeverisja e Komunave të Kosovës e Metohisë, një term ky inekzistent për Republikën e Kosovës.
1 vit e 3 muaj kanë kaluar që kur Komisioni Qendror Zgjedhor mbeti pa mandat.
Këtij mandati të vonuar i ka kontribuuar kreu i shtetit, kur vendosi të kërkojë interpretim ligjor në Gjykatën Kushtetues të Kosovës, se si të ndahej hisja e subjekteve politike në KQZ. Sipas Kushtetueses, çështjet e ngritura nga kreu i shtetit nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës.
Por, Kushtetuesja kërkesën e tij e ka shpallur të papranueshme.
“Gjykata gjeti se çështjet e ngritura nga parashtruesi para Gjykatës nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, Gjykata përfundoi se kërkesa është e papranueshme”.
Madje për këtë çështje, Gjykata Kushtetuese kishte pyetur edhe Komisionin e Venecias, i cili nuk kishte dhënë një përgjigje precize.
“Ne shumicën e këtyre shteteve, Komisionet Qendrore Zgjedhore janë Komisione te përhershme dhe profesionale që përbëhen nga përfaqësues të institucioneve te ndryshme, atyre qeveritare dhe të gjyqësorit. Ndërkaq, në disa raste janë të përbëra nga anëtarë që propozohen, qoftë drejtpërsëdrejti nga partitë politike, apo nga grupet parlamentare të përfaqësuara në Parlament.”
Kohavisioni ka pyetur presidencën se si do ta zhbllokojë KQZ-në, por nuk ka marrë përgjigje.
Sidoqoftë, Komisioni Qendror Zgjedhor, i cili vazhdon të jetë pa mandat që nga shtatori i vitit të kaluar, thotë të mos ketë koment për vendimin e Kushtetueses.
Sa i përket çështjes së organizimit të zgjedhjeve në Komunat Veriore ku serbët dhanë dorëheqje, KQZ-ja ka ripërsëritur se nuk ka një njoftim zyrtar për këtë çështje.
Edhe në presidencë, thonë se deri më tash, nuk ka arritur njoftim për mbetjen pa kryetar në 4 komunat veriore që udhëhiqen nga serbët.
Ndërkaq, në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, kanë thënë se dorëheqjet janë dorëzuar, por zyrtarisht nuk janë proceduar ende.
KTV-ja ka kuptuar se arsyeja e mosprocedimit tutje, është fakti se serbët e dorëhequr i janë referuar Kosovës me termin Kosova i Metohija.
KTV-ja i ka shkruar MAPL-së, e cila udhëhiqet nga Ivan Todosijevici, por nuk ka marrë përgjigje.
Todosijevici në fakt është ministër në dorëheqje nga Qeveria Haradinaj.
Ministrat serbë kanë paraqitur dorëheqjet kur në mars të këtij viti, kur u arrestua Marko Gjuriq. Megjithatë, ata vazhdojnë t’i gëzojnë të gjitha mundësitë dhe privilegjet që ua ofron posti i ministrit.












