Ankesat nga kompania që humbi tenderin pengojnë dekorimin e Prishtinës

Tashmë kanë kaluar katër ditë që nga fillimi i muajit dhjetor, i cili veçohet si muaji i festave të fundvitit. Gjatë këtij muaji, secila nga komunat e Kosovës ndan një shumë – qoftë edhe simbolike, për dekorimin e shesheve kryesore nëpër qytet. Natyrisht, që vëmendja kryesore është në Prishtinë – kryeqyteti i Kosovës. Përderisa vitin […]
Gjatë këtij muaji, secila nga komunat e Kosovës ndan një shumë – qoftë edhe simbolike, për dekorimin e shesheve kryesore nëpër qytet.
Natyrisht, që vëmendja kryesore është në Prishtinë – kryeqyteti i Kosovës.
Përderisa vitin e kaluar, dekorimi i shesheve kryesore të Prishtinës kishte filluar në fund të muajit nëntor, këtë vit ende as nuk ka nisur.
Shkak për këtë është bërë ankesa e njërës nga kompanitë konkurruese në tenderin e shpallur nga Komuna e Prishtinës.
Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka bërë të ditur për Periskopin se këtë vit janë ndarë 75 mijë euro për dekorimin e qytetit.
Por, kjo shumë nuk do të shpenzohet e tëra.
Kjo pasi vlera e kontratës mes Komunës së Prishtinës dhe Kompanisë “Link Media Plus” për “Dekorimin e qytetit të Prishtinës për festat e fundvitit” arrin shumën e 54, 980 mijë euro.


Kontrata me Kompaninë “Link Media Plus”
Por, Kompania që fitoi tenderin e ka të pamundur të fillojë me dekorimin, derisa Organi Shqyrtues i Prokurimit të kthejë përgjigje për ankesën e kompanisë së dytë me radhë në proces.
Tahiri ka thënë se aktualisht kjo çështje nuk është në dorë të tyre, dhe se duhet të presin OSHP’në që ta kryejë lëndën, në mënyrë që Kompania të fillojë me dekorimin e shesheve për festat e fundvitit.
Për dallim prej viteve të kaluara, këtë vit Komuna e Prishtinës do ta dekorojë edhe sheshin “Adem Jashari”.
“Këtë vit, buxheti i ndarë për dekorimin e qyetetit për festat e fundvitit është 75.000 euro, por nuk do të thotë se do të shpenzohet i tëri. Në vitin e kaluar, ky buxhet ka qenë rreth 55.000 euro, por nuk është dekoruar sheshi “Adem Jashari”. Kete vit është paraparë edhe dekorimi i këtij sheshi, dhe rrjedhimisht kemi edhe dallim në çmim. Nga ana e Komunës së Prishtinës do të dekorohen sheshet “Skenderbeu”, “Nënë Tereza”, “Adem Jashari” dhe “Zahir Pajaziti”. Derisa, në të njëjtën kohë, do të ketë edhe dekorime nëpër rrugë të tjera të qytetit, nga kompani të ndryshme”, thuhet në një përgjigje të Zyrës për Media të Komunës së Prishtinës dhënë Periskopit.
Për dallim nga ky vit, për dekorimin e shesheve në vitin 2017 ishin ndarë gjithsej 57 mijë e 940 euro. Dekorimi kishte filluar më 29 nëntor./PERISKOPI












