Haradinaj e quan të nxituar procedurën e deportimit të shtetasve turq

Haradinaj e quan të nxituar procedurën e deportimit të shtetasve turq

Kryeministri Ramush Haradinaj duke iu është përgjigjur sot të gjitha pyetjeve të deputetëve të Komisionit Parlamentar Hetimor në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, nuk ka përjashtuar mundësinë që deportimi tyre të ketë ndodhur si rezultat i një kërkese të jashtme për AKI-në. Megjithatë, kreu i ekzekutivit as nuk ka […]

Megjithatë, kreu i ekzekutivit as nuk ka pohuar se ka ndodhur një gjë e tillë. Ndërsa ka shtuar se procesi i deportimit të shtetasve turq ishte e nxituar dhe me lëshime, pasi që nuk është njoftuar për një çështje kaq të ndërlikuar, siç e quan ai.

Ndonëse u bë  ora 11, kohë kjo e paraparë për intervistim, Haradinajt iu desh të pres para sallës së komisionit gati 10 minuta, derisa anëtarët e këtij komisioni u morën vesh për rendin e ditës, gjegjësisht shtyrjen e intervistimit të presidentit Hashim Thaçi.

Haradinaj ka treguar edhe vërejtjet e tij për procesin e deportimit të shtetasve turq.

“Nuk e përjashtoj mundësinë e një kërkese nga pala turke, ose të një vazhdimi të një partneriteti ekzistues në këtë rast. Pra nuk muj me e konfirmu, por nuk e përjashtoj këtë. Është bukur e supozuar për aq sa di unë, se si i zhvillojnë agjencitë e inteligjencës. Ajo që dua të them është që është hetuar një nxitim i procedurës. Kjo procedurë ka mundur me shku nëpër etapat e veta edhe ndoshta do të ishim në rregull sot, dhe mungesa e informatës për mua. Këto të dyja më kanë bërë mua me vepru. Nuk kam gjetur defekte tjera në këtë proces”, theksoi Haradinaj.

Kreu i ekzekutivit është falënderuar nga deputetët për prezencën dhe përgjigjet e tij, pavarësisht subjektit politik të cilit i përkisnin.

Ai ka dhënë detaje se si është informuar për deportimin e gjashtë shtetasve turq.

“Prej orës 11:15 deri në orën 12:26, data është 29 mars, është mbajtur mbledhja e Qeverisë, të cilën e kam kryesuar dhe gjatë zhvillimit të kësaj mbledhjeje e kam marrë një telefonatë, prej një zyrtari të huaj, prej një diplomati, emrin nuk e kisha përcjell, i cili më ka pyetur për temën në fjalë, dhe më pastaj i kam radhit të gjitha informatat tjera, kronologjinë e veprimeve, gati ma kryesoret të mundshme që i kemi ndërmarrë… Pra hera e parë kur unë e kam marrë telefonatën edhe njoftimin, me sa e di unë janë larguar nga Kosova 10:50, ndërsa unë informatën e kam marrë mes orës 11 dhe 12.”, u shpreh ai.

Para Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e “gylenistëve”, Haradinaj i është përgjigjur deputetit të Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, në pyetjen pse ka shkarkuar drejtorin e  AKI-së dhe ministrin e  Punëve të Brendshme derisa s’ka pasur një vendim gjyqësor për këtë, ku tha se arsyeja ka qenë mos-informimi i atyre që i kanë emëruar në pozitat përkatëse.

“Politikisht kam mundur me e shkarku edhe Shpend Maxhunin, veç për vullnet politik, diskresion. Në bazë ligjore, të veprimeve që kanë ndodhur, u kanë zor me ia atribuar drejtorit të Policisë këtë. Për shkak se nëse i merr ato që na i kemi marrë, dhe e sheh vijën e komunikimit dhe temat që kanë ndodhur, është protokoll ekzistues, në të cilën ai ka qenë i obliguar në vazhdim… Kur AKI ka konstatu diçka, atij i obligohet zbatimi”, tha ai.

I pari i ekzekutitivit ka komentuar edhe për pëkrahjen që ka marrë nga presidenti Hashim Thaçi për këto shkarkime.

“Veprimi im ka qenë i pjesës sime, përgjegjësisë pra, mirëpo, ka hasur në përkrahje edhe nga presidenti, pra ka qenë veprim i imi, i pjesës së përgjegjësisë së kryeministrit, nuk kemi pasur një marrëveshje paraprake për shkarkimin e zotëriut Gashi”, ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj mori edhe një pyetje nga deputeti Driton Selmanaj nëse për këtë zhvillim ka qenë në dijeni presidenti Thaçi.

“A keni marrë informata se presidenti i vendit, a ka qenë i informuar për këtë çështje. Apo ju keni qenë personi i vetëm në vend që nuk keni ditur për këtë rast”, pyeti ai.

Në këtë pikë, Haradinaj tha se praktika e informatës është institucionale.

“Nëse një informatë mendohet se është e nivelit të rëndësisë që duhet ta kenë të parët, ajo duhet të vijë tek të paktën ata që e kanë emëru, pra në këtë rast presidenti dhe kryeministri. Kjo është obligative. Unë supozoj, që nëse unë se kam marrë, mund të mos e ketë marrë edhe presidenti… Unë iu kam bërë pyetje të dyve, se kush nga zyrtarët institucional kanë qenë në dijeni, por ata nuk më kanë dhënë një emër të caktuar. Më kanë thënë se e kemi bërë ne ”, u shpreh Haradinaj.

Tutje, kreu i ekzekutivit tha se kanë krijuar një mekanizëm të vendimmarrjes për këso raste, pjesë e të cilit janë disa institucione, e që sipas tij, një komision i tillë nuk do të lejojë të ndodhë më në të ardhmen një veprim individual sikur ky i deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Ai tha s e kanë marrë edhe lejen e aleatëve për themelimin e këtij mekanizmi i cili është mirëpritur edhe nga ta.

“Kemi krijuar do protokolle që kur ka karakter të sigurisë nacionale, të krijohet në tavolina, të mos vendos vetëm një njeri, sepse një njeri mundet me gabu. Është në diskresion, sikur unë që muj me gabu. Është krijuar tavolina ‘5+’ quhet”, tha ai teksa shtoi se komisioni mbetet i përhershëm”, tha Haradinaj.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj e ka pyetur Haradinajn nëse ka pasur ndonjë kërkesë për mbylljen e shkollave turke, siç është “Mehmet Akif”  ndërsa kryeministri është përgjigjur se deri më tani nuk i ka kërkuar askush një gjë të tillë.

Ai gjithashtu e ka pyetur Haradinajn nëse ministri i Drejtësisë e ka informuar se në muajin shkurt ka pasur kërkesë për ekstradimin e dy personave.

E këtu, kryeministri ka thënë se jo të gjitha këto kërkesat arrijnë deri tek ai, duke shtuar se deri në tavolinën e tij arrijnë kërkesat kur ka ndonjë çështje madhore.

Ndërsa deputetja Ganimete Musliu, tha se një presedan është krijuar me vet faktin se intervistimi i një komisioni hetimor po bëhet në mënyrë të hapur. Ndërsa thumboi kolegët deputetë për pyetjet e parashtruara sot për kryeministrin, derisa vet nuk pati ndonjë pyetje.

“”Je shumë i qëndrueshëm në kontinuitetin e deklaratave tuaja, sepse që nga dita kur ka ndodhur ngjarja e deri më tani, keni qenë gjithmonë në kontinuitet të deklaratave, sot besoj se nuk mundëm të marrim diçka më shumë nga ajo që keni thënë në vazhdimësi dhe deklaruar publikisht. Po besoj shumë se kur të dilni nga ky komision keni me dalë më konstatim se i keni pasur pyetjet më të lehta nga deputetët se sa nga gazetarët”, tha Musliu.

Ndryshe, pas arrestimit të shtetasve turq, kryeministri Ramush Haradinaj kishte shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi.

 

Të ngjashme
"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?